Ten Hag nuk kënaqet nga Rashford: Sezonin tjetër duhet të shënojë 40 gola

Manchester United pati një ecuri pozitive në këtë sezon me trajnerin Erik ten Hag që arriti t’i japë skuadrës një tjetër “fytyrë” nga ato që “Djajtë e Kuq” kishin shfaqur vitet e fundit.

Skuadra ia doli të sigurojë rikthimin në Champions League ndërsa është edhe në finalen e FA Cup ku do të sfidojë Manchester Cityn, pa lënë mënjanë faktin se fituan Kupën e Ligës.

Njeriu i këtij sezoni tek United ishte padyshim Marcus Rashford i cili deri më tani ka realizuar plot 30 gola në të gjitha kompeticionet.

Megjithatë, trajneri Ten Hag pret që këtë shifër sulmuesi ta rrisë në sezonin pasardhës duke e “ftuar” 25-vjeçarin të shënojë të paktën 40 gola.

“Mendoj se Rashford mund të përmirësohet edhe më tepër. Jam i bindur se mund të shënojë më shumë se 30 gola sepse ju kujtoj se në këto dhjetë ndeshjet e fundit nuk ka shënuar shumë dhe shifrat mund të ishin edhe më të mira. Skuadra e ka mbështetur shumë dhe jemi të lumtur, por sezonin tjetër pres që ai të shënojë 40 gola. Ky është hapi i radhës për Rashford”, u shpreh Ten Hag.