Serie A/ Lazio kalon mes vuajtjesh Cremonesen dhe parakalon në renditje Interin

Lazio e Hysajt ka arritur të marrë një fitore mes vuajtjesh duke mposhtur Cremonesen në “Olimpico” me rezultatin 3-2 në javën e parafundit të Serisë A.

Kryeqytetasit e trajnerit Sarri e nisën takimin në mënyrën më të mirë të mundshme duke kaluar të parët në avantazh.

Elseid Hysaj prishi ekuilibrat e këtij takimi duke shënuar golin e parë në këtë kampionat. 

Loja e mirë e Lazios u shpërblye sërish në pjesën e parë nga Sergej Milinkovic-Savic që dërgoi ekipin në dhomat e zhveshjes me avantazhin 2-0 në pjesën e parë.

Në pjesën e dytë, Cremonese tregoi krejtësisht një fytyrë tjetër përballë vendasve duke shënuar 2 gola.

Fillimisht ishte Galdames që ngushtoi diferencat dhe më pas një autogol i Laxarit i dha barazimin miqve për vetëm 4 minuta.

Përgjigja e fundit e vendasve erdhi në fundin e takimit. Ishte sërish serbi Milinkovic-Saviç që arriti të shënojë për Lazion dhe kësaj radhe i dha triumfin skuadrës së tij.

Me këtë fitore lacialët ngjiten në vend të dytë me 71 pikë, duke parakaluar Interin (69 pikë).