Erdogan shpall fitoren në Turqi

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, shpalli fitoren në balotazhin presidencial, të mbajtur të dielën. Ai bëri deklaratat e para pas mbylljes së qendrave të votimit , dhe foli para mbështetësve, në një autobus jashtë shtëpisë së tij në Stamboll.

‘Falënderoj çdo qytetar të këtij vendi që më besoi përgjegjësinë për të qeverisur këtë vend edhe një herë për pesë vitet e ardhshme’, tha ai.

Ai e përqeshi rivalin e tij Kemal Kilicdaroglu për humbjen duke thënë ‘mirupafshim Kemal’, ndërsa mbështetësit e shoqëronin me brohoritje.

‘Sot zgjedhjet i fitoi Turqia’, tha ai.

Sipas rezultatet paraprake, jozyrtare të njoftuara nga agjencitë turke të lajmeve, presidenti Erdogan kryeson rezultatin e zgjedhjeve ndërsa janë numëruar 98% të votave të balotazhit presidencial.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Anadolu zoti Erdogan ka siguruar 52.1% të votave ndërsa rivali i tij, Kemal Kilicdaroglu 47.9%.

Ndërkohë, sipas agjencisë së lajmeve ANKA, e afërt me opozitën, rezultatati I votimit ishte 51.9% për zotin Erdogan dhe 48.1% për zotin Kilicdaroglu.

Në Stamboll, mbështetësit e presidentit Erdogan filluan të festonin edhe para se të dilnin rezultatet përfundimtare, duke valëvitur flamujt turq ose të partisë në pushtet dhe duke i rënë borive të makinave.

Rezultati do të ketë ndikim përtej Ankarasë. '/VOA