Arrihet dakordësia për borxhin në SHBA, Biden: Lajm i mirë për popullin amerikan
Presidenti i SHBA Joe Biden dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy kanë arritur një marrëveshje paraprake për të rritur tavanin e borxhit prej 3.4 trilion dollarësh të qeverisë federale, disa ditë përpara afatit përfundimtar të 5 qershorit, që do të sillte një falimentim me pasoja katastrofike për ekonominë më të madhe të botës.
Marrëveshja paraprake e arritur të shtunën pas një telefonate 90 minutëshe, synon rritjen e tavanit të borxhit për dy vjet duke kufizuar shpenzimet gjatë kësaj kohe.
Mbështetja nga të dyja palët do të jetë e nevojshme për të fituar miratimin e Kongresit javën e ardhshme.
Lidhur me përparimin në bisedime, presidenti i SHBA-ve Biden doli në një deklaratë për shtyp.
“Marrëveshja përfaqëson një kompromis, që do të thotë se jo të gjithë marrin atë që duan. Kjo është përgjegjësia e qeverisjes. Gjithsesi ky është një lajm i mirë për popullin amerikan, sepse parandalon atë që mund të kishte qenë një falimentim katastrofik, duke prodhuar miliona vende pune të humbura”, tha Biden.
Edhe përfaqësuesi i republikanëve McCarthy e cilësoj një hap para këtë dakordësi.
“Ne kemi ende shumë punë për të bërë. Unë besoj se kjo është një marrëveshje në parim që është e denjë për popullin amerikan”, tha McCarthy.
Negociatat dypalëshe midis Biden dhe McCarthy filluan seriozisht vetëm më 16 maj.
Ngërçi i gjatë alarmoi tregjet financiare, duke rënduar mbi aksionet dhe duke detyruar SHBA-në të paguajë norma interesi të larta rekord në disa shitje bonosh.
Hera e fundit që SHBA arriti kaq afër falimentimit ishte në vitin 2011 kur Uashingtoni kishte gjithashtu një president demokrat dhe Senat dhe një Dhomë të udhëhequr nga republikanët.