SYRI TV/ SPAK i dorëzon Ministrisë së Drejtësisë, dosjen e Laert Haxhiut
Pavarësisht insistimit të Laert Haxhiut për të mos u ekstraduar në Shqipëri me argumentin se i rrezikohet jeta, autoritetet shqiptare janë vënë në lëvizje. Ministrisë së Drejtësisë i ka mbërritur dosja në ngarkim të tij nga SPAK, teksa brenda 40 ditëve duhet t’i vihet në dispozicion drejtësisë greke e përkthyer. Gjykata e Janinës brenda këtij afati duhet të vendosë nëse do pranojë kërkesën e Haxhiut apo të autoriteteve shqiptare.
Nga SYRI TV
Shqipëria ka nisur procedurat për ekstradimin e Laert Haxhiut, të kapur në Greqi, teksa 40 ditë kohë ka për dërgimin e dosjes në ngarkim të tij në shtetin helen.
Burimet konfirmojnë se SPAK, ka dorëzuar dosjen pranë Ministrisë së Drejtësisë. Aktualisht zyra e përkthimit në këtë dikaster, po merret me përkthimin e të gjitha akteve hetimore të SPAK, nga gjuha shqipe në atë greke dhe më pas dosja do t’i delegohet homologëve për shqyrtim.
Dy ditë më parë gjykata e Janinës e la në burg 31-vjeçarin me afat 40-ditor me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë. Gjatë kësaj periudhe ndaj tij do zhvillohet edhe një seancë tjetër gjatë të cilës do të shqyrtohen aktet e mbërritura nga Shqipëria e më pas do vendosin nëse do të pranohet apo jo kërkesa për ekstradimin.
Vetë Laert Haxhiu ka mohuar se ka marrë pjesë në masakrën e Lushnjës për të cilën akuzohet. Ai kërkon nga autoritetet greke të mos pranojnë ekstradimin pasi në Shqipëri I rrezikohet jeta dhe për më tepër disa nga anëtarët e familjes së tij kanë përfituar azil.
18 vite heqje lirie e ka dënuar Gjykata e Lushnjës për plagosjen e Sajmo Xhelilit dhe Xhulio Shkurtit në 25 shtator të 2016-ës.
Ndërsa nga SPAK është shpallur në kërkim ndërkombëtar për atë që njihet si “masakra e Lushnjës”. Haxhiu, së bashku me Orges Bilbilin dhe Anterio Kaloshin, tentuan për të dytën herë që të ekzekutonin nipin e Aldo Bares, ngjarje në të cilën vdiqën Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi.