Gara për kreu e ri të NATO-s, cilët janë pretendentët
Gara për udhëheqësin e ri të NATO-s po intensifikohet. Por, ajo po zhvillohet kryesisht në prapaskenë, pa asnjë shenjë të një fituesi të qartë shkruan Zëri i Amerikës.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, norvegjezi Jens Stoltenberg do të japë dorëheqjen në fund të shtatorit, pas nëntë vjetësh në këtë post.
Shumë anëtarë të aleancës do të dëshironin që për pasardhësin e tij të merrej një vendim gjatë, ose para takimit të NATO-s në Lituani, në mes të korrikut.
Sekretari britanik i Mbrojtjes Ben Wallace deklaroi javën e kaluar, se do të dëshironte ta merrte këtë post. Por, duke marrë parasysh që disa qeveri kërkojnë të emërojnë gruan e parë në këtë post, kryeministrja daneze Mette Frederiksen është bërë një pretendente më e fortë për postin.
Kryeministrja e Estonisë Kaja Kallas, presidentja e Komisionit Evropian, gjermanja Ursula von der Leyen dhe zëvendëskryeministrja kanadeze janë përmendur gjithashtu në diskutimet mes diplomatëve dhe në raportet e mediave si kandidate të mundshme për udhëheqëse të NATO-s. Emra të tjerë që përmenden shpesh janë kryeministri holandez Mark Rutte dhe kryeministri spanjoll Pedro Sanchez.
Por zoti Rutte ka këmbëngulur se ai nuk e dëshiron këtë post, ndërsa Sanchez këtë vit do të përballet me zgjedhjet e përgjithshme në vendin e tij.
Në këtë post tradicionalisht zgjidhet një evropian, çdo kandidat serioz ka nevojë për mbështetjen e Uashingtonit, anëtarit më të fuqishëm të NATO-s. Në administratën Biden ende ka diskutime se kush mund të jetë kreu i ri i Aleancës Euroatlantike. Mungesa e kandidatëve me mbështetje të gjerë ngre mundësinë që mandati i Stoltenberg të zgjatet përsëri, ndoshta deri në një takim tjetër të NATO-s në vitin 2024.