Përshkallëzimi i radhës/ Putini dëbon qindra gjermanë nga Rusia

Nga Rene Garzke, BILD

Në prill, Gjermania dëboi 34 nga 90 diplomatë rusë jashtë vendit, të cilët kamufloheshin si agjentë të shërbimit sekret në shërbim të diktatorit të Kremlinit, Vladimir Putin. Tani vjen hakmarrja e tij.

Disa qindra nëpunës civilë gjermanë duhet të largohen nga Rusia. Kështu bën të ditur ‘Sueddeutsche Zeitung’.

Kufiri i sipërm për misionet gjermane jashtë vendit dhe organizatat ndërmjetëse në Rusi do të reduktohet ndjshëm. Ky është një përshkallëzim në skenën diplomatike!

Të prekurit do jenë diplomatë, mësues dhe punonjës të Institutit Gëte. Sipas raportit, bëhet fjalë për numra treshifrorë.

Vendimi i Ministrisë së Jashtme ruse lidhet me reduktimin e pranisë së shërbimeve të inteligjencës ruse në Gjermani, tha Ministria e Jashtme. “Ky kufi i vendosur nga Rusia kërkon një reduktim të madh në të gjitha fushat e pranisë sonë në Rusi,” bëri të ditur kjo ministri.

Në rrjedhën e tensioneve serioze në të kaluarën, Gjermania dhe Rusia kanë dëbuar vazhdimisht diplomatë nga njëra-tjetra.

Përfaqësimet tashmë janë rralluar ndjeshëm. Për pasojë, shërbimet për shtetasit gjermanë janë reduktuar dhe shoqërohen me kohë të gjata pritje, për shembull kur lëshohen dokumente. Situata u përkeqësua ndjeshëm me fillimin e luftës ruse kundër Ukrainës.

“Në funksion të këtij vendimi të njëanshëm, të pajustifikuar dhe të pakuptueshëm, Qeveria Federale tani është e shqetësuar për të siguruar të paktën një prani minimale të ndërmjetësve në Rusi, duke mbajtur në të njëjtën kohë edhe prezencën diplomatike,” tha Ministria e Jashtme.