SYRI TV/ Habib Rexha mbetet në burg, ja dy akuzat që rëndojnë ndaj tij
Habib Rexha është lënë në burg, ndërsa miku i tij që e ka ndihmuar të arratiset, është lënë i lirë me masë sigurie arrest shtëpie. Vendimi është marrë nga Gjykata e Durrësit, pasi Rexha akuzohet për vrasjen e Arjan Gosës
SYRI TV
Është rikthyer ne qeli Habib Rexha, autori i vrasjes për shkak të gjakmarrjes të Arjan Gosës.
Ai ka dalë para Gjykatës së Durrësit e cila ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për Rexhën.
Ndërkohë që miku i tij, Ervis Kurti, i cili u akuzua nga policia si përkrahës i autorit të krimit, është lënë i lirë nga organi gjykues, i cili ka dhënë masën e sigurisë arrest shtëpie. Vrasje me dashje dhe motiv gjakmarrje kane qenë 2 akuzat me të cilat u përball Habib Rexha pas ngjarjes së 21 majit ku ekzekutoi me një plumb Arjan Gosën në sy të të babait në një lokal në qytetin e Kavajës.
Ndërsa menjëherë pas krimit, i riu u arratis ku qëndroi 2 ditë në Kukës. Pas negociatave mes efektivëve të komisariatit të Kavajës dhe familjarëve, këta të fundit kërkuan 2 ditë kohë për ta dorëzuar djalin e tyre për shkak se i druheshin një tjetër konflikti. Ngjarje, që sipas deklarimeve që bëri përpara oficerëve të policisë gjyqësore, Habib Rexha e kreu nga gjaknxehtësia dhe se nuk e kishte planifikuar, ndonëse lëvizte me armë, të cilën e kishte pa leje dhe ditën e ngjarjes ka treguar se ka qenë rastësi. I ndihmuar nga miku i tij Ervis Kurti, i cili nuk raportoi për ngjarjen, u zbulua pas dëshmisë së parë të Rexhës. Ngjarja e rëndë pasohet nga ajo e 29 marsit të këtij viti, ku Edmond Gosa dhe Altin Rexha vranë njëri- tjetrin pasi kishin lënë një takim për t’u sqaruar rreth disa ngacmimeve dhe konflikteve të mëparshme krahinore.
Ndërkohë që dy 43-vjeçarë kanë qenë emra të njohur për Policinë e Shtetit pasi kanë pasur precedent të mëparshëm penalë.