Ukraina: Jemi gati për të nisur kundërofensivën ndaj forcave ruse

Ukraina është gati për të nisur kundërofensivën ndaj forcave ruse.

Kështu deklaroi për BBC një nga zyrtarët më të lartë të sigurisë.

Oleksiy Danilov nuk dha një datë, por tha për BBC se sulmi për të rimarrë territorin nga forcat pushtuese të presidentit Vladimir Putin mund të nisë ‘nesër, pasnesër ose në një javë’.

Ai paralajmëroi se qeveria e Ukrainës nuk duhet të bëjë asnjë gabim me këtë vendim, pasi është një mundësi historike ‘të cilën nuk mund ta humbasim’.

Danilov është sekretar i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes në Ukrainë, duke qenë kështu në zemër të kabinetit të luftës të presidentit Volodymyr Zelensky.

Në fakt, intervista e tij e rrallë me BBC u ndërpre nga një mesazh prej presidentit Zelensky, i cili u thirr për të diskutuar kundërofensivën.

Ndërkohë edhe forcat ruse po përgatisin mbrojtjen e tyre ndaj kësaj kundërofensive.

Në lojë është shumë, pasi Kievi duhet t’i tregojë popullit të Ukrainës, por edhe aleatëve perëndimorë, se mund të thyejë forcat ruse pasi situata është në ngërç.

Trupat ukrainase kanë kaluar muaj duke u stërvitur me armatimet perëndimore përpara se të nisë sulmi i shumëpritur.