VIDEO/ Apeli i një babai: Më ndihmoni t'i shpëtoj jetën djalit!

Alfred Karaj, 41 vjeç nga Fushë-Kruja është babai i tre fëmijëve dhe prej një muaji po qëndron pranë djalit të tij të sëmurë, në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë.

"Nuk kam lekë të blej një shiringë 70 lekë", shprehet Karaj për emisionin ‘Piranjat’. Ardiani, djaloshi 20 vjeçar i familjes Karaj ndodhet në spital pas komplikacioneve nga një dhëmballë, që për pak i rrezikoi jetën.

Neglizhenca solli pasoja të rënda, një të çarë në fyt, që as nuk e lejon të ushqehet dhe as të flasë.

Pas ndërhyrjes së parë kirugjikale, ai po pret për t’iu nënshtruar një tjetër operacioni. Përveç gjendjes së komplikuar me fytin, Ardianit i është zbuluar dhe një tjetër simptomë e fshehur.

Mjekët e kanë diagnostikuar me Hepatitin C, një sëmundje e mëlçisë, e cila transmetohet nëpërmjet kontaktit me gjakun e infektuar e që kërkon kujdes maksimal dhe trajtim me kosto të larta.

Këto trajtime për një kryefamiljar si Alfredi, me tre fëmijë janë të papërballueshme.

Pamundësia financiare e 41 vjeçarit për të siguruar ilaçet për të birin është vetëm një nga sfidat e shumta, me të cilën i duhet të përballet çdo ditë.

Vështirësia më e madhe për të dhe familjen janë kushtet e mjerueshme, në të cilat jeton në Fushë-Krujë. 

Sikur të mos mjaftonte gjendja e rënduar ekonomike, 41 vjeçari vuan edhe nga sëmundja e epilepsisë.

Tre fëmijët e tij, dy prej të cilëve të mitur, jetojnë me të ardhura minimale, që ai përfiton nga kempi i invaliditetit.

Mes vështirësive të sëmundjes dhe gjendjes së rënduar ekonomike, Alfredit i duhet të përballet i vetëm, me rritjen dhe edukimin e fëmijëve, pas divorcit dhe braktisjes nga bashkëshortja.

I gjendur në një banesë të shkatërruar, pa ushqim, pa të ardhura, me vështirësitë e sëmundjes, mungesën e bashkëshortes dhe me dhimbjen për djalin e sëmurë, Alfredi bën thirrje që ta ndihmojnë.