VIDEO- Avokati mashtrues i merr 40 mijë euro dhe i lë babanë në burg, qytetari kërkon drejtësi
Abuzimet nga avokatët kanë filluar të kthehen në makthin e qytetarëve. I tillë është edhe rasti që kanë transmetuar ‘Piranjat’ në këtë puntatë.
‘Quhem Ali Lleshi dhe jam drejtuar te ju sepse kam pasur një problem me komshinjtë për çështje trualli. Në konflikt e sipër babai vrau komshiun, në vitin 2012. Shkoi në burg dhe morëm një avokat, Fariz Xhurxhi, nga Tirana. Na premtoi që do e nxirrte babain brenda vitit dhe donte 40 mijë euro’- sqaron qytetari.
Siç do të bënte çdo familje, kur i bie një hall i tillë, edhe familja Lleshi i dha ato para, por a e kanë ata një dokument që e vërteton këtë?
‘S’kemi kontrate që ja dhamë atëherë, por kemi një kontratë që do na i kthejë lekët, pasi babai mori dënimin përfundimisht. U dënua me 20 vite dhe sot është ende në burg. Shumë herë nuk vinte në procese, por ra edhe për vete në burg pastaj, në 2013, nga mashtrimet që u bënte njerëzve’ ka deklaruar Lleshi.
Siç duket familja Lleshi nuk është e vetmja viktimë, pasi në rrjet qarkullojnë edhe lajme të tjera me mashtrimet e këtij avokati.
‘Babi mori dënimin dhe i thamë na kthe lekët, se kështu na ka thënë: po nuk bëra gjë, do ju kthej lekët. Na mashtron duke thënë do ju a kthej. I kemi marrë vetem 12 mijë euro. Na ka edhe 28 mijë euro nga 40 që ishin. Komunikimi i fundit me të ka qenë para dy vitesh, por tani s’na e hap më celularin. Nuk di ku të drejtohem. Kërkoj drejtësi, të na ktheje lekët, se na ka lënë babin në burg, me shkatërroi si familje…’- përfundon qytetari.
‘Piranjat’ arritën të zbulojnë zonën që frekuenton ky avokat dhe pas shumë përpjekjesh patën edhe një ballafaqim me të, por ai zgjodhi të heshtë duke mos iu përgjigjur asnjë pyetjeje. ‘Piranjat’ ja kalojnë stafetën autoriteteve ligjore që të vendosin para drejtësie këtë avokat që mashtron qytetarët.