Zaneti: Kapërcyem vështirësi, puna e skuadrës paguhet përherë

Havier Zaneti ka fituar shumë në karrierën e tij si lojtar dhe tani po përjeton një epokë të dytë triumfi si drejtues tek Interi.

Zëvendëspresidenti i zikaltërve ka festuar suksesin e klubit të tij në Kupën e Italisë me një mesazh të gjatë në rrjetet sociale, drejtuar të gjithë tifozëve të Interit dhe të shoqëruar me fotot e festimeve të Interit në “Olimpico”.

Ishte një mbrëmje magjike, një tjetër trofe dhe një gëzim shumë i madh për të gjithë ne dhe njerëzit tanë”, kanë qenë fjalët e para në mesazhin e djeshëm të Zanetit, që ka vazhduar: “Për të jetuar të gjithë bashkë edhe një herë tjetër diçka të tillë, është gjithmonë thelbësore që të kapërcesh momentet e vështirësisë, të qëndrojmë të bashkuar dhe të jemi grup. Puna e skuadrës paguhet përherë. Gjithmonë forca Inter”.

Argjentinasi feston kështu triumfin e pestë të tij si drejtues i Interit pas kampionatit të 2021- shit dhe dy Kupave e dy Superkupave të Italisë.