Votoi kundër rritjes së pagës për deputetët, flet Petrit Doda: Qeveria në fillim të kthejë sytë nga shtresa në nevojë, pastaj për administratën
Kuvendi i Shqipërisë miratoi një ditë më parë rritjen e rrogës së deputetëve dhe ministrave, me 95 vota pro dhe 3 kundër, ndërsa nuk pati asnjë abstenim. Një prej deputetëve që votoi kundër, ishte ai i PD, Petrit Doda.
I ftuar në News24, ai u shpreh se arsyeja e votës së tij kundër, ishte për shkak se qeveria sipas tij, fillimisht duhet të mendojë për shtresën në nevojë dhe më pas për rritjen e pagës për administratën.
“Kam votuar kundër, sepse qeveria duhej të kishte parashikuar minimumin jetik para këtij projektligji, të mendonte për familjet në nevojë, të indeksonte pensionet, të mendonte për statusin e minatorit…
Të gjitha këto më krijuan bindjen për ta votuar kundër. Unë jam pro për rritjen e pagave, por kjo priste. Shumica e administratës është e politizuar, duke nisur dhe nga qeverisja e PD, por faturat i kanë shkuar buxhetit”, tha ai.