Padia e Hugh Grant për përgjim nga tabloidi ‘The Sun’ mund të shkojë në gjyq
Londër – Një gjykatë në Londër hodhi poshtë të premten një përpjekje të botuesit të “The Sun” për të rrëzuar një padi nga aktori Hugh Grant, që pretendonte se gazetarët dhe dedektivët e kishin përgjuar në mënyrë të paligjshme.
Gjykatësi Timothy Fancourt tha se një gjyq në janar do të duhet të përcaktojë nëse “The Sun” kishte kryer mbledhje të paligjshme informacioni që përfshinte përgjimin e linjës së tij fikse, përgjimin e makinës së tij dhe depërtimin në shtëpinë e tij.
Gazeta "News Group", e cila zotëron "The Sun", kishte argumentuar se aktori Grant nuk i paraqiti pretendimet e tij brenda një afati kohor gjashtëvjeçar.
Gjykatësi hodhi poshtë pretendimet e Grant për hakerimin e telefonit për shkak të kufizimit kohor, por tha se çështja mund të vazhdonte për pretendimet e tjera.
“Vetëm duke parë faturat e zbuluara... në vitin 2021, zoti Grant beson se hetuesit privatë ishin udhëzuar nga “The Sun” për ta vënë në shënjestër atë në mënyra të ndryshme, veçanërisht në vitin 2011,” shkroi gjykatësi Fancourt.
Rasti u argumentua gjatë një seance dëgjimore muajin e kaluar që përfshinte gjithashtu akuza për hakerim telefonik nga princi Harry kundër “News Group”, gazetave britanike të Rupert Murdoch.
Vendimi i gjykatësit Fancourt nuk trajtoi çështjen e Dukës së Sussex, sepse ai dëshironte të dëgjonte më shumë rreth pretendimeve të Harry-t se si ai ishte penguar të sillte pretendimet e tij shumë më herët, për shkak të një "marrëveshjeje sekrete" midis Pallatit të Buckingham dhe gazetave të Murdoch.
Harry pretendonte se familja mbretërore kishte rënë dakord të zgjidhte çështjet e tyre me NGN, botuesin e gazetës “News of the World” jashtë gjykate, pasi proceset gjyqësore të lidhura me të u shuan. Ai tha se marrëveshja kërkonte falje nga gazetat.
Në dokumentet e gjykatës, Harry tha se ai ngriti padinë e tij vetëm kur përpjekjet për të përshpejtuar atë zgjidhje dështuan. Ai tha se vëllai i tij, Princi Uilliam, trashëgimtari i fronit, më pas mori një zgjidhje "të madhe" mbi akuzat për hakerimin e telefonit, kundër “News Group”.
Por, NGN ka mohuar se kishte një "marrëveshje sekrete". Pallati nuk i është përgjigjur mesazheve që kërkonin koment mbi atë apo zgjidhjen e supozuar të William.
Një zëdhënës i “News Group” lëshoi një deklaratë të premten duke thënë se ishte e kënaqur që gjykata hodhi poshtë akuzat e Grant për hakimin e telefonit.