VIDEO/ Guxholli: Qeveria harroi propagandën pasi fitoi zgjedhjet! Shokuese, rritja me 97% e pagave për drejtuesit
E ftuar në SYRI TV me moderatoren Armela Ferko, ekspertja e ekonomisë Suzana Guxholli foli për impaktin real të rritjes së pagave në vendin tonë.
Duke u ndalur te propaganda e madhe para zgjedhjeve, Guxholli theksoi se me premtimin për të rritur pagat nga ana e qeverisë, u krijua ideja se po preken të gjitha shtresat e popullsisë, por me të mbaruar zgjedhjet del papritur se në këtë sistem të rritjes së pagave përfiton një grusht i vogël që janë drejtuesit.
Sipas Guxhollit, rritja me 97% e këtyre grup pagash për presidentin, kryeministrin dhe ministrat, të shokon kur e krahason me rritjet e vogla 7% që marrin pagat e mësuesve, infermirëve, doktorëve, policëve etj.
Guxholli: Rritja e pagave është një efekt dhe një sipërmarrje shumë e mirë sepse teorikisht ndikon në rritjen e mirëqënies dhe standardeve të jetesës të gjithë secilit. Por kjo rritje e pagave e parë në totalin e saj dhe në ambientin dhe rrethin ekonomik ku ajo bëhet ngre një sërë pikëpytjesh.
Kur doli reforma e rritjes së pagave apo propaganda e madhe para zgjedhjeve, sigurisht do thoje që o sa mirë se po prek të gjitha shtresat e popullsisë duke filluar nga ata me të ardhura më të ulëta deri te ata me të ardhura më të mëdha. Dhe ishte një propagandë pompoze të rritjes së pagës mesatare deri në 900 euro, rritje të pagës së shtresave në nevojë, rritje të pensioneve dhe ti mendon se kjo prek të gjitha shtresat.
Mbaruan zgjedhjet dhe del papritur se në këtë sistem të rritjes së pagave përfiton një grusht i vogël që janë drejtuesit. Dhe këtu nuk jam negativiste sepse jam dakord që duhet të ketë diferenca ndërmjet grupeve dhe profesioneve të ndryshme por jo kaq e madhe dhe e theksuar pasi është gabim.
Si duket fituan dhe harruan kujdesin për propagandën sepse nuk fillohet diskutimi nga shtresat me paga më të mëdha qofshin këta president, kryeministra dhe deputetë. Tingëllonte shumë keq.
Diskutimi në komision duke nisur nga këto grup pagash dhe përqindja me të cilat rriten këto grup pagash të shokon kur e krahason me rritjet e vogla që marrin pagat e mësuesve, infermirëve, doktorëve, policëve etj.
Nëse rritja për ta u konsiderua 7% që nuk është as sa inflacioni, rritjet e pagës së presidentit, kryeministrit etj arrijnë në vlera dyfish apo 97%.
Në dukje kjo rritje pagash u bë e tillë duke harruar në dukje edhe ta fshejnë. Ne kemi pagën më të ulët për frymë në Evropë dhe në rajon. Kemi ikjen më të madhe të popullsisë për këto arsye prej varfërisë dhe pamundësinë për të gjetur punë.