Vulëhumburit i del gjumi

Pak ditë para nisjes së fushatës elektorale të 14 majit, Lulzim Basha, pyetjes së gazetarëve se a do të merrte pjesë në fushatë, iu përgjigj, "po, do të bëj fushatë në gjithë Shqipërinë".

Nuk surprizoi, gënjeu si gjithmonë, nuk doli asnjë ditë vetë në fushatë, përkundrazi u pa herë pas here duke bërë pazar në dyqanet luksoze të Europës.

PD-ja e vulës në zgjedhjet lokale përfundoi në partiçkë, por mesa duket misioni nuk ka mbaruar.

Vetëm pak ditë pas zgjedhjeve, Taulant Balla, patronazhisti i Bashës, siç edhe është faktuar tashmë nga publikimi i videos së takimit mes tyre nga SYRI, doli dhe tha unë njoh vetëm një opozitë, atë të vulës, pra, Lulzim Bashën.

Nuk vonoi dhe Luli u shfaq menjëherë pas deklaratës së Ballës. Nëpërmjet një njoftimi në Facebook ai lajmëron një takim me të rinjtë e FRPD-së.

FRPD-ja është e pozicionuar qartë në bllok se ku ndodhet, madje kujtoni një përpjekje të Lulit kur tentoi të tregojë se ka forumin rinor pas vetes dhe dështoi duke përfunduar me 10 të rinj në një kafe.

Me sa duket, pas refuzimit të Jorida Tabakut për të marrë logon e PD-së, Lulzim Basha do tentojë të rikthehet vetë sërish dhe të vazhdojë misionin e pengmarrjes së opozitës.

Lëvizja e mëparshme e Bashës ishte ndryshimi i fotografisë në rrjetet sociale, ku vendosi logon e PD-së së vulës.

Leximi është i qartë, Edi Rama nuk e ka lëshuar pengun e tij, edhe pse zgjedhjet lokale treguan se PD-ja e vulës nuk ka më as 5% elektorat, gjë e cila s'do t'i bëjë dobi as atij vetë në vitin 2025, është i vendosur ta telendisë Lulzim Bashën deri në pikën e fundit.

Nuk dihet nëse deputetët do ta mbështesin më Bashën apo jo në këtë rikthim, por ajo që është e sigurt është se misioni i tij duket tashmë ashiqare nga të gjithë, shkatërrimi dhe lënia e vendit pa opozitë.

Sido të veprojë Basha, pesha e tij elektorale është sa një pupël, 14 maji e ndau shapin nga sheqeri.