12 vrasës, 8 përdhunues/ Shqipëria merr qindra të burgosur nga Britania

200 të burgosur shqiptarë në burgjet e Anglisë dhe Uellsit që vuajnë dënime prej katër vitesh ose më shumë do të kthehen në dy vitet e ardhshme për të kryer pjesën e mbetur të dënimit në burgjet shqiptare.

Ky vendim vjen në vijim të marrëveshjes së përbashkët të nënshkruar nga kryeministri shqiptar Edi Rama dhe kryeministri britanik Rishi Sunak në dhjetor të vitit 2022.

Sipas marrëveshjes, pala britanike do të paguajë kostot e strehimit të të burgosurve për gjatë gjithë kohëzgjatjes së dënimit të tyre në vendin tonë dhe Shqipëria do të mund të rrisë investimet për përmirësimin e mëtejshëm të kushteve në sistemin e burgjeve.

“Ndërkohë që u japim mundësinë të dënuarve shqiptarë në Britaninë e Madhe, të shlyejnë pjesën e mbetur të dënimit pranë familjeve të tyre, Shqipëria do të mund të fuqizojë edhe më tej kapacitetet e sistemit penitenciar”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Kurse gazeta britanike ‘Sun’ shkruan se Britania do të paguajë që Shqipëria të marrë mbrapsht qindra të burgosur për të vuajtur dënimin në vendin e tyre- duke shpëtuar mijëra sterlina nga taksapaguesit britanikë.

Mes atyre që do të dërgohen në Shqipëri janë 12 vrasës, 8 përdhunues dhe mbi 100 persona të dënuar për krime të lidhura me drogën apo armët e zjarrit.

Mes personave që do dërgohet në Shqipëri është edhe Rufat Kasamaj, një person që përdhunoi një të mitur. Sipas gazetës, një i burgosur në Britani kushton 109 sterlina në ditë, kurse në Shqipëri kushton 32 sterlina.