Skandal/ Top Channel i vendos titra shqip filmit nga Kosova, 'shpërthen' rrjeti

Skandal i Top Channel. 

Televizioni kombëtar i ka vendosur titra shqip serialit "Rrushe" prodhim kinematografik nga Kosova, i cili ka nisur të transmetohet.

Ky veprim ka nxitur reagime të gazetarëve e profesorëve universitar në Kosovë dhe Shqipëri.

Gazetari Ermal Mulosmani me sarkazëm ka reaguar ndaj kësaj situate duke bërë krahasimin mes fjalëve të folura në film dhe titrave të përkthyer.

Ironia e situatës? – televizioni po përkthen në gjuhën shqipe një film në shqip të Kosovës.

“Topi po transmeton një film kosovar por…po e përkthen edhe me titra. Sapo një djalë tha “Po, po, qe erdha”. Topi e përktheu “Po po, ja, erdha”…” – ka shkruar Mulosmani në Facebook.

Ndërsa profesori Rrahman Paçarizi e ka quajtur “paragjykim e rast studimi” titrimin nga gjuha shqipe në shqip.

Edhe gazetari Sami Neza ka reaguar me zemërim për këtë skandal të Top Channel.

"U kuqa prej marres kur shoh TCH të përkthejë me titra një film “Rrushe” në zhargon, prodhim i Kosovës. Promovim i diferencave, bile edhe ngulitje".