Arrestohen 3 persona për fyerjet raciste ndaj Vinicius Junior në Valencia-Real Madrid

Policia ka identifikuar dhe arrestuar tashmë tre persona të moshave 18 deri në 21 vjeç me kombësi spanjolle lidhur me fyerjet raciste që Vinicius Junior mori gjatë ndeshjes Valencia-Real Madrid, ndonëse vijon puna për zbardhjen e fakteve.

Të arrestuarit akuzohen për një krim të dyshuar lidhur me ushtrimin e të drejtave themelore dhe lirive publike.

Pas dhënies së deklaratës, të tre janë lënë të lirë, me detyrim për t’u paraqitur në gjykatë.

Zyra e Prokurorit Provincial të Valencias ka hapur zyrtarisht procedurat e hetimit penal në rast se fyerjet mund përbëjnë një krim urrejtjeje.