Vrasja e Arian Gosës në Kavajë/ Policia negocion me familjen Rexha për dorëzimin, policia, 10 mije euro kush jep informacion
Gjithçka që mbeti në vendin e krimit në Kavajë është një pamje e trishtë, ku i ati i mban dorën të birit të pajetë në tavolinë. Ashtu qëndroi me të burri i moshuar, që përcolli dy djemtë e tij për më pak se dy muaj.
Ai nuk mundi të fliste për orë të tëra me Policinë, pas asaj gjëme që i ndodhi në duar e para syve, por më pas ka mundur të tregojë se personi ishte i vetëm dhe nga kishte ardhur vdekja me plumb për të birin. Policia ka mundur të shkëpusë disa pamje nga kamerat e rrugës kryesore që ka përshkruar djali që u bë vrasës për të vëllanë, që vëllai i viktimës së tij e masakroi me thika në sy të të birit vetëm 3 vjeç.
Masakrimi i tij u pasua me një nxjerrje arme që ai mbante me vete, duke e vrarë agresorin e vet e po ashtu edhe ai ndërroi jetë për shkak të plagëve të marra nga goditjet e thikës. Por ngjarja u la aty nga Policia, Prokuroria, instancat dhe vetë shteti. Kishte fushatë, e një vrasje e dyfishtë, që konsiderohej “kokë për kokë” u braktis në mëshirën e dy familjeve të përfshira në këtë histori që duket se nuk ka mbarim. Ata u braktisën e Habibi, që nuk e ka njërën dorë, u kthye që atë ditë të zezë për familjen e tij për t’i dhënë lamtumirën vëllait që ia masakroi fqinji me thika vetëm e vetëm pse kishte ardhur nga veriu dhe i kishte zënë vendin. Hetimet dhe gjithçka tjetër që lidhet me punën e instancave hetimore mbeti aty në atë ditë të keqe për të dy palët, pa menduar askush se ngjarja mund të vazhdohej. Tashmë mësohet se Policia po negocion me familjen Rexha që ta bindin djalin e tyre të dorëzohet. Madje, Policia ka lëshuar edhe një shumë prej 10 mijë eurosh për këdo që jep informacion për vendin në të cilin fshihet 31-vjeçari nga Kukësi që banon në zonën e Luzit të Madh bashkë me familjen e tij të madhe.
Kërkimet
Habib Rexha dyshohet se e kishte planifikuar hakmarrjen për vëllanë që në muajit mars, ndërsa vetëm një ditë më parë qëlloi për vdekje Arian Gosën, 48 vjeç. Ai ishte kthyer nga Italia që në fund të marsit, periudhë kur edhe vëllai i tij Altin Rexha mbeti i vrarë në vrasjen e dyfishtë në Kavajë, bashkë me Edmond Gosën. Prej dy muajsh ai kishte planifikuar hakmarrjen, por vëzhgimin e lëvizjeve të viktimës dyshohet se e kishte bërë vetëm ditën e diel, kur edhe veproi për atentatin. Policia ka nxjerrë pamje të djalit para dhe pas vrasjes. Në pamjen para vrasjes, ai dallohet që ecën i qetë, me dorën në xhep, ndërsa në kokë mban kapuçin e bluzës. Ndërkohë, në foton pas vrasjes, ai shihet se ka hequr kapuçin dhe ecën me hap më të nxituar me armën e krimit në dorë, duke shkuar në drejtim të makinës me të cilën është larguar nga vendi i ngjarjes.
Në foto shihet se Rexha e mban armën në dorën e majtë, pasi kur ka qenë i vogël ai ka humbur dorën e djathtë, pasi është futur në një kabinë elektrike dhe e ka zënë korrenti. Habib Rexha qëlloi me një plumb në kokë Arjan Gosën me dorën e majtë dhe më pas është larguar vetëm. Dyshimet e hetuesve janë se ai fshihet në Durrës dhe fshatrat përreth, pasi këtë drejtim ka marrë për t’u larguar pas vrasjes. Nuk përjashtohet mundësia që Rexha të jetë larguar edhe në drejtim të Kukësit, në vendlindje, për t’u fshehur.
Në lokalin ku ndodhi ngjarja, Policia nuk ka administruar dot pamje pasi nuk ishte i pajisur me kamera sigurie, por ndërkohë 4 kamera në zonë kanë kapur momentin e lëvizjes së Habib Rexhës, përmes së cilave është bërë i mundur edhe identifikimi i autorit. Autori është siguruar që fisi Gosa të merrte lajmin se kush e vrau Arian Gosën, pasi nuk kishte përdorur maskë me qëllim që të mësohej që e mori hakun për vrasjen e vëllait. Habib Rexha është ende në kërkim dhe Policia ka vënë në dispozicion një shpërblim prej 10 mijë eurosh për personat që mund të japin informacion për kapjen e tij.
Vrasja e Arian Gosës
Habib Rexha pasditen e së dielës vrau me një plumb në kokë 48-vjeçarin Arian Gosa, i cili ishte duke pirë kafe me babanë e tij në një lokal në Kavajë. Ai ka vepruar i vetëm dhe pas vrasjes ka arritur që të largohet. Shkak i vrasjes është hakmarrja, pasi Habib Rexha është vëllai i Altin Rexhës, i cili mbeti i vrarë në vrasjen e dyfishtë në muajin mars të këtij viti në Kavajë, ku viktimë mbeti edhe Edmond Gosa. Autori veproi i vetëm, e duket se është përpjekur që shenjën e hakmarrjes t’ia kthejë në të njëjtën mënyrë fisit Gosa. Ashtu sikurse Ariani u ekzekutua në sy të të atit, edhe Altin Rexha kishte pasur të birin përdore kur Edmond Gosa, e qëlloi me armë dhe e la të vdekur. I tronditur, babai i mbetur tashmë pa asnjërin nga dy djemtë, Osman Gosa nuk ka dhënë asnjë dëshmi para grupit hetimor, e ndërsa në pamje duket i përhumbur teksa grupi i ekspertëve këqyrin vendin e ngjarjes.
Përgjakja e 29 marsit
Një konflikt banal më 29 mars të këtij viti çoi në vrasjen e Edmond Gosës, alias Armand Gosa, dhe Altin Rexhës, alias Sali Rexha, në Kavajë. Ata kanë pasur një konflikt disa ditë më parë dhe më 29 mars ata u takuan rastësisht në një lokal, ku teksa u përpoqën të sqaronin sherrin, situata degradoi deri në vrasje. Pyetja “Pse më sheh ashtu” nga Edmon Gosa ka irrituar Altin Rexhës, i cili ka marrë thikën dhe ka plagosur Edmond Grosën. Më pas ky i fundit i është kundërpërgjigjur me armë, duke e lënë të vdekur Altin Rexhën, por edhe vetë Edmond Gosa humbi jetën nga plagët që mori nga plagosja me thikë. Fisi Gosa mbahen edhe si “të fortët” në Kavajë. Në momentin që Gosa ka qëlluar me armë, në vend ngjarje ka qenë edhe fëmija i Altin Rexhës, i cili ishte futur në një dyqan.
E shkuara kriminale e vëllezërve Gosa
Armand Gosa nuk ishte figurë e panjohur për drejtësinë pasi ishte përfshirë edhe më parë në një ngjarje kriminale. 10 vite më parë po në qytetin e Kavajës, së bashku më vëllain e tij Arjanin, i cili mbeti i vrarë sot, masakruan me thika një person në vitin 2012. Viktima Gentjan Gjuzi humbi jetën pak muaj më vonë në spitalin e neurokirurgjisë. Sherri në atë kohë lindi për një vajzë dhe solli për pasojë humbjen e jetës së babait të dy fëmijëve, 41-vjeçarit Mentor alias Gentjan Gjuzi.