SYRI TV/ Miliona euro për rindërtimin në zgjedhje, por familja Kola në Lezhë jeton në rrënoja
Miliona euro transferuan bashkitë para zgjedhjeve për individë të caktuar me pretekstin e rindërtimit, por ende qindra qytetarë janë lënë në mëshirë të fatit. I tillë është rasti i Gjergj Kolës nga Lezha, banesa e të cilit u dëmtua nga tërmeti, por sot pas 4 vjetësh ai nuk ka përfituar ende nga grantet e rindërtimit
SYRI TV
Teksa bashkitë e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019, përfshirë dhe atë të Lezhës, transferuan miliona euro fonde në llogaritë e qytetarëve para zgjedhjeve, shumë qytetarë në këto bashki janë ende në mëshirë të fatit.
Kjo është banesa e shkatërruar nga tërmeti i katër viteve më parë, ku jeton ende familja me pesë anëtarë e Gjergj Kolës në fshatin Torovicë të Lezhës.
Banesa është drejt degradimit për shkak të dëmeve që i ka shkaktuar tërmeti, ndërsa kryefamiljari Kola shprehet se deri më sot ai nuk ka marrë asnjë ndihmë nga bashkia dhe qeveria për rikonstruksionin e saj.
Teksa kanë kaluar katër vjet, Gjergj Kola shprehet se ka humbur shpresën për rindërtimin e banesës.
Gjergj Kola është invalid dhe e ka të pamundur që të punojë për të rindërtuar banesën, ndaj ai apelon për ndihmë.