Dita e dytë e kongresit perinatal, studime nga kirurgë, anestezistë e gjinekologë
Për dy ditë radhazi është zhvilluar në Durrës Kongresi i Tretë Ndërkombëtar i Kujdesit Perinatal, Riprodhimit Human dhe Andrologjisë, me praninë e mjekëve shqiptarë e të huaj. Në fokus të diskutimeve të ditës së dytë të këtij kongresi, kirurgët, neurokirurgët, anestezistët e mjekët obstetër-gjinekologë të pranishëm, kishin anomalitë fetale gjenetike, diagnozën prenatale invazive, fekondimin invitro, infertilitetin femëror e mashkullor si dhe trajtimin dhe kurimin e tyre.
Presidenti i Shoqatës Italiane të Diagnostikës Prenatale Claudio Giorlandino dhe Presidenti i Shoqatës Italiane të Andrologjisë Alessandro Palmieri, e konsideruan të vyer pjesëmarrjen në këtë kongres, ndërsa vlerësuan tematikat e trajtuara përgjatë dy ditëve të zhvillimit të tij, duke treguar se së shpejti do të ketë bashkëpunime e projekte të ardhshme në fushën e mjekësisë.
Me interes ky kongres u pa edhe nga mjekë kardiologë dhe epidemiologë, të cilët u bënë po ashtu pjesë e tij.
Në Kongresin e Tretë Ndërkombëtar të Riprodhimit, Andrologjisë dhe Shëndetit Perinatal i cili është zhvilluar dy ditë radhazi, profesionistë të kujdesit shëndetësor nga Shqipëria, Kosova, Italia, Anglia, Greqia e shumë vende të tjera, u ndalën në tema me rëndësi për shëndetin e njeriut, veçanërisht atë riprodhues e perinatal.