Kreu i Wagner: Kemi kontroll të plotë në Bakhmut të Ukrainës, mesazhi për Zelensky
Kreu i grupit mercenar rus Wagner, Yevgeny Prigozhin, ka pretenduar sot kontrollin e plotë të qytetit ukrainas Bakhmut.
Sipas mediave të huaja, qyteti lindor i Ukrainës ka qenë në qendër të betejës më të gjatë dhe më të përgjakshme të luftës.
Prigozhin e ngriti pretendimin në një video teksa mbante veshje luftarake përpara një vargu luftëtarësh që mbanin flamuj rusë dhe pankarta të Wagner.
“Sot, në orën 12 të mesditës, Bakhmuti është marrë plotësisht”, tha ai.
Ai shtoi se forcat e tij do të tërhiqen nga Bakhmut nga 25 maji për pushim dhe ritrajnim.
“Ne morëm plotësisht të gjithë qytetin, shtëpi më shtëpi”, tha ai.
Shpërthime të largëta mund të dëgjoheshin në sfond ndërsa zoti Prigozhin fliste gjatë videos.
Ushtria ukrainase e ka mohuar pretendimin e Prigozhin.
Serhiy Cherevatyy, zëdhënës i Forcave të Përbashkëta të Ukrainës tha për Sky News: “Kjo nuk është e vërtetë. Luftimet po zhvillohen ende në qytet.”
Në lidhje me luftimet e rënda në Bakhmut, zëvendësministri i mbrojtjes i Ukrainës tha se “situata është kritike”.
Zoti Prigozhin talli Zelensky-n dhe presidentin amerikan Joe Biden, të cilët po merrnin pjesë në një samit të G7 në Japoni sot.
Duke iu drejtuar Zelenskyy, z. Prigozhin tha: “Sot kur të shihni Bidenin, putheni në majë të kokës, përshëndetje nga unë”.