'E rëndësishme që kjo ditë i bëri bashkë liderët e rajonit', Osmani flet nga Mali i Zi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë sot në inaugurimin e presidentit të ri të Malit të Zi, Jakov Milatoviq.

Mediat në Malin e Zi kanë cituar një deklaratë të saj, e cila mes tjerash ka thënë se “është e rëndësishme që kjo ditë i bëri bashkë liderët e rajonit”.

“Dua ta uroj presidentin e Malit të Zi. Kosova është e interesuar bashkëpunimin e shkëlqyeshëm që e ka me Malin e Zi, sidomos sot kur bëhet fjalë për integrimin evropian. Siç e konfirmoi edhe presidenti i ri sot, kjo është rruga e vetme e këtij shteti. Ne do të punojmë bashkë, do të punojmë me çdo vend në rajon që dëshiron paqe, stabilitet dhe integrim eruo-artlantik”, u shpreh ajo.

Ndërkohë, në inaugurimin e presidentit të ri të Malit të Zi kanë marrë pjesë edhe liderë të tjerë të vendeve të rajonit.

I pranishëm është parë edhe emisari i ShBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.