SYRI TV/ Hoteleria shqiptare nuk gjen staf për shërbim, rinia ka emigruar jashtë vendit
Emigrimi masiv i të rinjve shqiptar ka vënë në vështirësi shumë biznese në Shqipëri. Një nga sektorët që po has vështirësi në krahun e punës është hoteleria. Biznesi hotelier në pamundësi për të gjetur punëtor vendas është detyruar të marrë staf nga vendet aziatike apo edhe afrikane. Në Shëngjin biznesmen të këtij sektori thonë se marrja e punëtorëve të huaj po u rrit kostot, por po u sjell probleme edhe në shërbim.
Nga SYRI TV
Ndonëse jemi në prag të nisjes se sezonit turistik, shumë operatorë turistik janë ende në kërkim të punonjësve vendas të cilët mungojnë.
Punëtorët që ofrohen për të punuar në këtë sektor nuk mbulojnë as 15 përqind të kërkesës hoteliere në vendin tonë. Për këtë arsye, operatorët turistikë kanë deklaruar se janë të detyruar të rekrutojnë të huaj. Dritan Kondakçi thotë se procedurat për rekrutimin e të huajve po u sjellin vonesa për shkak të dokumentacioneve.
Ndërkohë kryetari i Dhomës së Tregtisë, Pashko Palokaj tha se mungesa e krahut vendas të punës po u rrit kostot, kjo edhe për shkak të mungesës së eksperiencës, por një ndikim të madh ka edhe mënyra e komunikimit, pasi një pjesë e punëtorëve të huaj nuk arrijnë të komunikojnë asnjë gjuhë tjetër përveç atyre të vendeve të origjinës si Turqi, Pakistani apo India
Ditët me diell tashmë janë afër, por një pjesë e konsiderueshme e biznesit hotelier është në kolaps për shkak të mungesës së krahut të punës. Kjo problematikë sa vjen e thellohet pasi rinia shqiptare në mungesë të perspektivës nga ana e shtetit po detyrohet të emigrojë jashtë vendit.