Pse po e pranon Ukraina fushatën e vrasjeve në Rusi?
Nga Mark Galeotti, SPECTATOR
Pas muajsh të tërë mohimesh, më në fund kreu i inteligjencës ushtarake ukrainase ka pranuar se Kievi po kryen një fushatë sabotimesh e vrasjesh brenda Rusisë. Pse ky ndryshim i linjës zyrtare tani?
Gjeneral Major Kyrylo Budanov, kreu i Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës (HUR), është bërë një nga yjet mediatikë të kësaj lufte, në veçanti falë një imazhi publik të kuruar artistikisht aq sa një zyrtar i lartë i inteligjencës së SHBA e karakterizoi si “George Smiley takohet me Jason Bourne”. Këtë javë ai shfrytëzoi intervistat në dy kanale në YouTube për të pranuar rolin ukrainas pas një serie sulmesh në Rusi kohët e fundit. Ai bëri të ditur edhe se deputeti ukrainas Yevhen Shevchenko kishte mbajtur bisedime sekrete me presidentin bjellorus Aleksander Lukashenko, në emër të agjencive të inteligjencës.
Sulmet në Rusi variojnë nga nxjerrja jashtë shinave e trenave të mallrave deri në sulmet me bomba kundër përkrahësve të njohur të luftës, të tillë si blogeri Vladlen Tatarsky (i vrarë në prill) dhe autori e militanti Zakhar Prilepin (i plagosur rëndë në fillim të këtij muaji). Është supozuar gjatë se HUR ishte agjencia kryesore pas këtyre sulmeve, por deri këtë muaj agjencia përgjithësisht kishte refuzuar të konfirmonte apo mohonte zërat e ndryshëm.
Pastaj, Budanov iu tha gazetarëve perëndimorë se ‘ne kemi vrarë e do të vazhdojmë të vrasim rusë kudo në botë deri në fitoren e plotë të Ukrainës’. Kjo deklaratë, që alarmoi shumë në qarqet e inteligjencës dhe diplomacisë perëndimore – Budanov refuzoi të cilësonte rusët që konsideroheshin si shënjestër – megjithatë nuk arriti të krijonte valë të mëdha reagimi. Kjo ndoshta shpjegon se pse ai vendose ta dyfishonte dozën, duke shpallur se ‘tashmë kemi goditur shumë (objektiva rusë), përfshirë personalitete publikë e të medias’ dhe të deklaronte se sulmet kryesisht kryheshin nga ‘qytetarë të Federatës Ruse’ të lumtur të punonin me HUR për ‘arsye patriotike’.
Ukraina po e rrit fushatën e sabotimit dhe vrasjeve në Rusi, por pa dyshim që Budanov po vazhdon edhe një fushatë lufte psikologjike. Ndonëse individë rusë kanë kryer aksione të veçuara, si hedhje molotovësh kundër oficerëve të rekrutimit (ka pasur edhe pretendime për rrjete më të gjerë anarkistësh e oponentësh) operacionet më komplekse e në shkallë më të gjerë mbajnë vulën e profesionistëve. Disa rusë janë angazhuar në sabotime me anë të mashtrimit apo shantazhit, por pretendimet e Budanovit për një lëvizje më të gjerë terroriste anti-Kremlin duket se synojnë trazimin e agjencive të sigurisë dhe ndoshta shkaktimin e një represioni antiproduktiv. Në fund të fundit, ky është personi që ka thënë se një grusht shteti ishte në proces e sipër për rrëzimin e Putinit dhe që mban në zyrë hartën e Federatës Ruse të copëtuar.
Fjalët e Budanovit bien ndesh edhe me pohimet e përsëritura nga vetë Presidenti Volodymyr Zelensky se, siç tha në Berlin vetëm disa ditë para intervistave të Budanovit, 'ne nuk po e sulmojmë territorin rus'. Në një farë shkalle kjo mund të ketë qenë edhe me synime mashtrimi: dokumente të rrjedhura nga inteligjenca e SHBA (që nuk janë konfirmuar e as mohuar), thonë se Zelensky mendon të hyjë në fshatra kufitare ruse e madje ka hedhur në erë një tubacion që çon naftën ruse në Hungari.
Megjithatë, edhe nëse kjo është një lloj loje polici i mirë/polici i keq, sërish rrezikon ta vërë në siklet presidentin, duke ngritur pyetjen se sa shumë e ka nën kontroll HUR-in. Sipas të njëjtave dokumente të rrjedhura, edhe CIA-s iu desh të ndërhynte që Budanov të hiqte dorë nga sulmet e planifikuara ndaj Rusisë më 24 shkurt, në përvjetorin e agresionit. Siç tha një zyrtar i BE, “Zelensky duhet të kishte qenë në gjendje t'i shuante këto ide pa u dashur amerikanët të negocionin drejtpërdrejt me Budanovin”.
Në moshën 37-vjeçare, gjenerali më i ri në ushtrinë ukrainase, dhe me një kult personaliteti në rritje që përputhet me profilin e tij në media – sa herë që ka ndonjë fatkeqësi të re në Rusi, media sociale mbushet me imazhe të tij me sy të kuq të ndezur ose duke buzëqeshur – mendohet se Budanov ka ambicie politike për pas luftës.
Vitin e kaluar pati zëra se ai do të zëvendësonte Gjeneral Valery Zaluzhny, kreu i forcave të armatosura. Një ish-komando i forcave speciale i shndërruar në shef spiunazhi, tani engjëll hakmarrës i kombit ukrainas, është e mundur që Budanov tashmë sheh drejt një fushate të ndryshme në të ardhmen, njëherazi me atë të tanishmen kundër Rusisë.