SYRI TV/ Vota të pajustifikuara, BIRN: Tom Doshi është surpriza e zgjedhjeve

Pa  artikuluar asnjë herë alternativën e saj politike, Partia Social-Demokrate e Tom Doshit ka arritur të dalë forcë e katërt në zgjedhjet lokale të 14 majit, duke marrë plot 116 mandate këshilltarësh në rang kombëtar. Një analizë e rrjetit investigativ BIRN tregon se PSD ka pësuar një rritje prej 2.4 % e nëse këto zgjedhje do të ishin parlamentare, Doshi do të siguronte 9 mandate deputetësh.

Nga SYRI TV

Askush nuk e kujton një deklaratë politike apo premtim elektoral të Tom Doshit për zgjedhjet lokale të 14 majit, megjithatë Partia Social-Demokrate e drejtuar prej tij, renditet forcë e katërt në rang kombëtar.

Madje në bazë të rezultatit të votave për këshillat bashkiakë, PSD doli forcë e parë në disa prej bashkive në veri të vendit, duke prodhuar më shumë mandate se  PS dhe koalicioni “Bashkë fitojmë”.

E pikërisht votat e  Tom Doshit, që nuk justifikojnë asnjë program politik apo alternativë të prezantuar para qytetarëve, faktojnë masakrën elektorale të 14 Majit.

Së fundmi, rrjeti investigativ BIRN ka bërë një analizë të procesit elektoral, ku thekson se surpriza më e madhe e zgjedhjeve është pikërisht rritja me 2.4 herë e Partisë Social-Demokrate të drejtuar nga Tom Doshi, e cila ka fituar 86 mijë vota dhe 116 mandate në të gjithë vendin.

Për nga numri i posteve në këshillat bashkiakë të Shqipërisë dhe votave të fituara renditet në vend të katërt, pas Partisë Socialiste, koalicionit “Bashkë fitojmë” dhe Partisë Demokratike të drejtuar nga Alibeaj.

Por për shkak se votat e PSD duket se janë përqendruar në mënyrë strategjike në disa qarqe të vendit, nëse të dielën do të kishte pasur zgjedhje parlamentare dhe jo zgjedhje të pushtetit vendor, Tom Doshi do të kishte fituar tre mandate deputetësh në Shkodër, dy në Tiranë, një në Durrës dhe një në Dibër, ndërsa nuk është shumë larg fitimit të një mandati edhe në Elbasan.

Një mandat tjetër i mundshëm është në qarkun e Fierit, ku PSD ka marrë rreth 8600 vota. 

Duke iu referuar numrit te votave te marra, partia e Tom Doshit do të merrte deri në 9 mandate deputetësh nëse zgjedhjet e 14 Majit do të ishin zgjedhje parlamentare.

Votat për këshillat bashkiakë në lokalet e 14 Majit nxorën zbuluar manipulimin e zgjedhjeve dhe deformimin e votave nga dyshja Rama - Doshi.

PSD e Tom Doshit arrin të avullojë votat për këshilltarë aty ku kryebashkiakë u zgjodhën kandidatët e opozitës, ndërsa i dha Edi Ramës, bashkinë e Shkodrës. Edhe në Lezhë, PSD e Tom Doshit sfidon socialistët në pushtet për të dalë forcë e parë. 

Flagrante është situata në ato bashki që u fituan nga opozita, ku votat për këshilltarë  kanë shkuar në drejtim të PSD.

Kështu, në bashkinë e Pukës, atë të Mirditës dhe të Fushë Arrëzit, Tom Doshi ka marrë më shumë këshilltarë se PS e “BF”, ndërsa forcë e parë është renditur edhe ne Vaun e Dejes dhe Malësinë e Madhe.