Loja e Ramës me negociatat dhe qartësia e Lulzim Bashës

Negociatat me ndërmjetësit ndërkombëtarë nuk kanë rezultuar të suksesshme. Ndërmjetësit kanë kërkuar të gjejnë një zgjidhje mes dy qëndrimeve, të Ramës dhe të opozitës, që për momentin duken se nuk kanë asnjë pikë takimi. Basha ka qënë konseguent, i qartë dhe i vendosur në kërkesën e tij parimore e të patjetërsueshme: qeveri teknike me mandat të qartë që garanton zgjedhje të ,ira e të ndershme.

Kurse Rama ka refuzuar kërkesën e opozitës duke tentuar tinëzisht të krijojë përshtypjen se është gati të lëshojë për datën e zgjedhjeve dhe të bëjë gjoja disa ndryshime teknike në administratën policore apo edhe të disa ministrave por duke ruajtur postin e Kryeministrit. Rama në mënyrë demagogjike është përpjekur të kushtëzojë çështjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme me vetingun, ndërkohë që Basha në themel është dakord ta votojë vetingut por duke vendosur në plan të parë realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme përmes një qeverie teknike e cila si akt të parë do të kishte votimin e menjëhershëm të vetingut. Përse Basha insiston në kërkesën për “qeveri teknike me një mandat të qartë kohor dhe detyrash të mirëpërcaktuara” që garanton zgjedhje të lira e të ndershme?

Arsyet janë të shumta.. Së pari Rama erdhi në pushtet me një numër të madh individësh me rekorde kriminale që nuk pranoi asnjëherë ti largonte dhe i ka përsëri pranë tij, ose si kryetarë bashkish, ose si kandidatë për deputetë në partitë aleate ose të maskuar pas “vajzës, djalit, apo dikujt tjetër” që do të jenë kandidatë në qarqet e veriut.

Po ashtu Rama erdhi në pushtet me të gjithë ata persona të pasuruar nga lejet e ndërtimit të dhëna prej tij kur ishte kryetar bashkie apo nga (ish)kryetarët e bashkive kryesore të vendit (Durrës, Elbasan, Fier, Vlorë, e tjerë) të cilët në të gjitha rastet gjatë këtër viteve kanë vazhduar të pasurohen nën pushtetin e Ramës duke shkelur Kushtetutën dhe ligjin e konfliktit të interesit. Ata janë përsëri kandidatë për deputetë me të vetmin funksion blerjen e votës përmes blerjes së varfërisë të cilën Rama gjatë këtyre katër vjetëve e ka thelluar. Po ashtu Rama dhe Tahiri kanë angazhuar rrjetin e policisë në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit në funksion të pasurimit të tyre por mbi të gjithë për manipulimin e zgjedhjeve. Sado të përpiqet Rama të mashtrojë qytetarët e ndërkombëtarët me gjoja shkarkimet në polici askush nuk ka dyshimin me të vogël se “rrjeti i policisë” në bashkëpunim me “bandat e krimit” do të jetë shumë aktiv në zgjedhje ose në formën e “trafikantëve të veshur me uniform policie ose në formën e “policëve pa uniformë të veshur me petkun e rilindasit” pranë Ramës e Tahirit të cilët do tju premtojnë rikthimin në detyrë në këmbim të blerjes së votave dhe kërcënimit të votuesve.

Së dyti, Rama prej katër vitesh refuzon të realizojë një reformë zgjedhore në bashkëpunim me opozitën për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. Të gjithë pikat që ndodhen në “dokumentin e ambasadorëve” të propozuara tashmë nga opozita prej disa muajve janë refuzuar nga Rama të cilat sot bën teatrin duke i pranuar për tu shfaqur konstruktiv me “propozimet e ndërkombëtarëve”. Rama i cili para katër viteve kishte kërkuar identifikim biometrik dhe numërim elektronik gjatë disa javëve ka refuzuar në mënyrë kategorike kërkesën e opozitës për “identifikim biometrik dhe votim/numërim elektronik”. Së treti Rama në mënyrë demagogjike e tinëzare duke synuar vendosjen e kontrollit mbi sistemin e drejtësisë, është përpjekur gjatë të gjithë kohës të kushtëzojë kryerjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme me votimin e vetingut, ndërkohë që opozita është shprehur qartas në favor të votimit të vetingut por duke vendosur në plan të parë zgjedhjet e lira e të ndershme të cilat do të garantoheshin pasi të miratohej qeveria teknike pa Ramën kryeministër.