Spalletti drejt largimit nga Napoli, katër emra për ta zëvendësuar

Pavarësisht se e riktheu Napolin te titulli kampion që mungonte që prej sezonit 1989-1990, e ardhmja e Luciano Spallettit nuk është e sigurt në krye të skuadrës kampione të italisë. Lajmin e bën të ditur “Corriere dello Sport” që shprehet se presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis dhe Luciano Spalletti mund të mos arrijnë një marrëveshje për rinovimin.

Për këtë arsye, drejtuesit Napoletanë kanë gati katër emra që mund të zëvendësojnë teknikun toskan. Ëndrra e madhe është padyshim Antonio Conte, por problemi kryesor mbetet paga që kërkon tekniku italian. Ky i fundit është aktualisht pa ekip, pas largimit nga Tottenhami dhe po shikon për një aventurë të re.

Opsioni i dytë lidhet me Roberto De Zerbin që po kalon një sezon fantastik në Premier League me Brightonin. Edhe kjo pistë mbetet e vështirë për drejtuesit e Napolit, pasi De Zerbi është shprehur se ndihet mirë te Brightoni dhe nuk dëshiron të largohet.

Ndërkohë që dy emrat e tjerë që monitorohen nga Napoli janë dy trajnerë që aktualisht janë pjesë e Serie A. I pari është Gian Piero Gasperini që ka bërë mirë me Atalantën, por dy sezonet e fundit ka humbur disi nga shkëlqimi. Ndërsa nuk përjashtohet mundësia Vincenzo Italiano që çoi Fiorentinën në finalen e Conference League, por edhe të Kupës së Italisë.

Prioriteti i De Laurentiis është të mbajë në stol sërish Luciano Spallettin, por në rast se nuk arrihet marrëveshja, ka gati sulmin për katër alternativat e reja