Dedikim special për finalen, Mourinho telefonon Marash Kumbullën nga Gjermania
Një vit pas triumfit në Conference League, Roma siguron një tjetër finale, këtë herë të Europa League, ku do të diskutojë trofeun me Sevillan në Budapest.
Verdhekuqtë mbajtën një barazim pa gola mbrëmjen e të enjtes në “Bay Arena” ndaj Leverkusenit dhe u kualifikuan falë suksesit 1-0 në sfidën e një jave më parë.
Menjëherë pas ndeshjes, në dhomat e zhveshjes nisi festa verdhekuqe, me futbollistët e Romës që nuk harruan as Marash Kumbullën, mbrojtësin shqiptar që mungonte për shkak të një dëmtimi të rëndë.
Mourinho i bëri një telefonatë nga Gjermania, për t’i dedikuar kalimin në finale, ndërsa futbollistët hapën një bluzë të tij, në foton e shkrepur gjatë festës.