Beleri të hënën para gjyqit/ Senati amerikan i shqetësuar për arrestimin
Kandidati fitues i koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Himarë, Fredi Beleri do të dalë para Gjykatës së Posaçme për rivlerësim mase, ditën e hënë.
Mësohet se seanca do të zhvillohet në orën 13:00. Gjyqtare do të jetë Atalanta Zeqiri.
Dosja e Fredi Belerit kaloi nga Gjykata e Vlorës në SPAK. Kujtojmë se Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve vendore, me akuzën për blerjen e votave.
Arrestimi i tij ka alarmuar edhe Senatin amerikan.
Kreu i Komisionit të Jashtëm, senatori Robert Menendez ngriti dje shqetësimin për arrestimi e Belerit gjatë një seance dëgjimore për Ballkanin Perëndimor. Ai tha se arrestimi dy ditë përpara zgjedhjeve ngre pikëpyetje.
“Unë e vë gjithmonë në pikëpyetje diçka që ndodh dy ditë përpara zgjedhjeve,” tha ai, duke iu drejtuar këshilltarit të Departamentit të Shtetit, Derek Chollet.
Robert Menendez: E kuptoj që zgjedhjet e lira dhe të ndershme, përfshi gjyqësorin e pavarur, janë elementë kyçë të demokracisë. Jam i shqetësuar që policia shqiptare ka arrestuar një shtetas grek dy ditë përpara zgjedhjeve. Do shohim se si do dalin provat. Qeveria greke e ka bërë të qartë se kjo do ketë implikime për aspiratat shqiptare drejt BE. Çfarë po bëjmë ne për të siguruar që autoritetet shqiptare po zbatojnë ligjin?
Derek Chollet: Ne dëgjuam dje nga ambasadori grek, të dy ne dëgjuam dhe zoti Escobar pati mundësinë të lidhet me të. Është diçka për të cilën jam informuar dje dhe kemi komunikuar me ambasadën tonë në Tiranë për të kuptuar plotësisht se çfarë ka ndodhur.