Sot betohet kreu i ri i Mitrovicës së Veriut, shtetet e QUINT: Nuk është i nevojshëm betimi në komuna
Prishtinë - Sot fillon betimi i kryetarëve të rinj të 4 komunave në veri të Kosovës.
Erden Atiq do ta bëjë i pari betimin nga gjithsej 4 kryetarët që dolën nga zgjedhjet në veri, raporton RTKlive.
Betimi i kryetarit të ri do të bëhet në objektin e Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe nuk ka pikë tjetër në rendin e ditës.
QUINT: S’është i nevojshëm betimi i 4 kryetarëve në zyra të komunave
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Italia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuara, të cilat njihen edhe si vendet e QUINT-it, kanë dalë me një deklaratë të përbashkët, në prag të ceremonisë së betimit të katër kryetarëve të zgjedhur në komunat veriore.
Këto shtete, bëjnë thirrje që të mos ketë veprime të përdorimit të forcës që do të rrisnin tensionet në veri.
Në deklaratë shkruan se nuk është e domosdoshme që kryetarët të betohen në hapësirat komunale.
“Nuk duhet të ketë veprime apo iniciativa – përfshirë kryetarët e sapo zgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale – që nuk i shërbejnë popullit ose që mund të rrisin tensionet”, shkruan në deklaratë.
“Kjo përfshin ushtrimin kompetencave që janë më shumë se administrative dhe procesin e marrjes së detyrës pasi nuk ka kërkesë që kryetarët e komunave të bëjnë betimin në zyrat komunale”.
QUINT-i deklaron se të gjitha palët duhet të përmbahen nga përdorimi i forcës ose veprimet që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin.
Më tej, QUINT-i shpreh mbështetjen për dialogun në BE mes Kosovës dhe Serbisë, duke kërkuar që të krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
“Ne mbështesim Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë nevojën për progres urgjent për krijimin e Komunitetit/Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, thuhet në fund.