Balla lan fytyrën e Bashës

Taulant Balla u shfaq sot sërish në rolin e patronazhistit të Lulzim Bashës, në një përpjekje për ta mbrojtur atë për takimin sekret të dhjetorit të kaluar.

Por edhe në përpjekje për të larë fytyrën e Lulzim Bashës, Taulant Balla sërish rrëzoi alibinë kryesore të Bashës, duke pranuar se nuk ishin në pallatin e tij, por në një pallat tjetër.

SYRI TV ka provuar katërcipërisht se video e takimit sekret është e vërtetë dhe nuk ka asnjë manipulim siç mund të pretendojë dikush.

Megjithatë problemi i madh është se kjo video dhe ky takim nuk është ndonjë gjë e re.

Pikërisht se nuk është gjë e re, takimi besohet gjerësisht nga opinioni publik se ka ndodhur. Madje kaq e besueshme është kjo histori, sa rrjetet sociale kanë nisur ta etiketojnë Ballën si ministrin e qeverisë Rama për punët e opozitës.

Dhe fakti që opinioni publik e beson gjerësisht këtë gjë, nuk ka ardhur si një rrufe në qiell të pastër. Sepse pas takimit të 3 dhjetorit të kaluar kanë ndodhur një seri ngjarjesh që faktojnë takimin dhe më shumë se keq.

Në ditët e para të marsit, pikërisht para skadimit të afatit të regjistrimit në zgjedhje, Gjykata e Apelit, që e kishte zvarritur prej 9 muajsh këtë çështje, i heq Sali Berishës të drejtën e vulës së PD. Në skenë rishfaqet Lulzim Basha që i jep një rekomandim qesharak Enkelejd Alibeajt për t’u paraqitur si trashëgimtar i PD në zgjedhje.

Dhe kjo opozitë, me letra të falsifikuara, merr bekimin e KQZ, të KAS-it, Kolegjit Zgjedhor për t’u njohur si e tillë. Ndonëse ajo nuk është e aftë të nxjerrë konkurrentë as në 1/3 e 61 bashkive, ajo merr nga pushteti për të cilin punon Taulant Balla, të drejtën për të pasur komisionerë, financim publik dhe kohë mediatike.

Madje pak më vonë koalicioni Berisha-Meta zhvishet edhe nga numëruesit e votave në gjysmat e tavolinave ku do numërohen ato, duke i mohuar edhe të drejtën e emrit të drejtuesit të koalicionit në fletën e votimit.

A janë biseduar të gjitha këto në takimin e 3 dhjetorit Basha Balla? Këtë askush nuk mund ta provojë. Por ama një gjë është e qartë që pas kësaj date janë shtuar përpjekjet politike, juridike dhe të organeve zgjedhore për të mbajtur në këmbë opozitën false.