VIDEO EKSKLUZIVE/ Dalin pamjet se si u grabit posta private në kryeqytet

Një postë private u grabit dje te zona e '5 Majit' në kryeqytet. Autori Ordis Molla nën kërcënimin e thikës arriti të merrte një shumë parash.

Në pamjet e siguruara nga SYRI TV nëpërmjet gazetares Bleona Sari shihet grabitësi që kur ka hyrë brenda, ka marrë një person që gjendej aty dhe nën kërcënimin e thikës e ka çuar deri tek arka ku gjendeshin paratë.

Molla vodhi në postë 400.000 lekë të rinj, 940 euro dhe 40 paund, të cilat u sekuestruan nga policia pas arrestimit të 27-vjeçarit.

NJOFTIMI ZYRTAR

Tiranë/Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 4, operacioni policor i koduar “Filiali”. 

Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 27-vjeçari që mori një shumë parash në filialen e një poste private, duke kanosur punonjësin e postës, me mjet preës (thikë).    

Sekuestrohen shuma e parave të vjedhura, mjeti prerës (thikë) dhe veshjet që ka patur autori gjatë ngjarjes, si dhe motomjeti me të cilin ai është larguar.  

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në filialen e një poste private në rrugën “5 Maji”, ku një shtetas mori një shumë parash pasi kanosi punonjësin e postës, me mjet prerës (thikë) dhe më pas u largua me motomjet, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Filiali”, si rezultat i të cilit u arrestua shtetasi:  
 
O. M., 27 vjeç, banues në Tiranë.  

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nga Policia, u bë i mundur identifikimi i këtij shtetasi, i cili më datë 17.05.2023, rreth orës 21:15, hyri në filialen e një poste private në rrugën “5 Maji”, mori xhiron ditore duke kanosur me mjet prerës thikë, punonjësin e postës, dhe më pas u largua me motomjet.    

Shuma e parave të vjedhura nga shtetasi O. M. u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me mjetin prerës thikë që ai ka përdorur për kanosjen, veshjet e tij gjatë vjedhjes dhe motomjetin me të cilin është larguar.   

Materialet proceduale në ngarkim të shtetasit O. M. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.