Britania po paguan të burgosurit shqiptarë që të kthehen në atdhe

Të burgosurit shqiptarë janë duke u paguar nga qeveria britanike në mënyrë që të rikthehen në atdhe. Është ky shkrimi i publikuar nga media prestigjioze britanike BBC e cila ka marrë në intervistë dy të rinj shqiptarë.

BBC shkruan se të burgosurve iu ofrohen 1500 £ për t’u larguar – dhe disa prej tyre planifikojnë të kthehen. Ishin të rinjtë që rrëfyen se Britania u pagoi 1500 paund që të largoheshin.

Shqiptari, të cilin BBC e quan Mark, rrëfeu se e takoi një oficer emigracioni i cili e pyeti nëse donte të kthehej apo të qëndronte në Britani dhe iu ofrua mbështetja financiare prej 1500 paundësh për t’u kthyer.

Një tjetër ri foli për BBC dhe tregoi historinë e tij në kushte anonimiteti.

“Në një linjë hekurudhore të papërdorur mbi një lumë të bukur të zhytur në një peizazh jashtë Tiranës, Azemi fliste me duart që i dridheshin. Ai tregoi dokumente që përshkruanin largimin e tij nga Britania e Madhe dhe refuzimin e kërkesës së tij për azil. Ai u tha zyrtarëve të emigracionit se ishte arratisur nga Shqipëria pasi anëtarët e bandës i vendosën një armë në kokë dhe e kërcënuan se do ta vrisnin për aktivitetet e tij politike. Ai u kthye në Shqipëri kundër dëshirës së tij muajin e kaluar”, shkruan media britanike.

“Kam frikë sepse e njëjta situatë mund të përsëritet”, tha ai. “Kam qëndruar në heshtje, nuk buzëqesh, jam i stresuar dhe trupi më dridhet gjatë gjithë kohës, nuk fle shumë”, rrëfeu i riu.

Media britanike foli me dhjetëra shqiptarë para se të dëboheshin dhe zbuloi se shumica vinin nga burgjet e Mbretërisë së Bashkuar. Disave u ishin ofruar para në këmbim të pranimit për dëbim dhe u liruan nga burgu përpara se të vuanin dënimin e tyre minimal.

Fluturimet e deportimit në Shqipëri janë rritur që kur vendi nënshkroi një marrëveshje të përbashkët bashkëpunimi me Mbretërinë e Bashkuar dhjetorin e kaluar, për të “frenuar dhe penguar migrimin e paligjshëm”. Zyra e Brendshme e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar thotë se më shumë se 1000 njerëz janë kthyer që nga ajo kohë, rreth gjysma e tyre vullnetarisht.