I besuari i Putin: Shtetet baltike provinca të Rusisë, polonia e 'pushtuar' përkohësisht

Ish-kryeministri rus, Dmitry Medvedev, ka thënë se tri shtetet baltike i përkasin Rusisë, raportoi të mërkurën “Euronews”.

Ai u është referuar Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë si “provincat tona”, ndërsa iu përgjigj deklaratës së presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili javën e kaluar tha se Moska tashmë ka humbur gjeopolitikisht.

“De fakto, Rusia ka hyrë në një formë nënshtrimi në lidhje me Kinën dhe ka humbur qasjen e saj në Baltik. Kjo gjë është kritike sepse nxiti Suedinë dhe Finlandën të marrin vendim për t’u bashkuar me NATO-n”, ka thënë presidenti francez.

Shqetësimet janë rritur në Baltik për kërcënimin e paraqitur nga Rusia që kur ajo pushtoi Ukrainën në shkurt të vitit të kaluar. Ata janë mbështetës të zëshëm të Ukrainës, duke ofruar ndihmë, armë dhe duke pritur refugjatët ukrainas.

Medvedev, i cili shërbeu si kryeministër i Rusisë midis viteve 2000-2004, është shfaqur si zë anti-perëndimor, pro-luftës së Kremlinit.

Në përgjigjen e tij ndaj deklaratës së Macronit, Medvedevi gjithashtu iu referua Polonisë si “e pushtuar përkohësisht”, duke aluduar për praninë e NATO-s brenda këtij vendi.