Tesla do reklamojë makinat e saj për herë të parë

Shefi i kompanisë Tesla, Elon Musk, ka thënë se do të nisë reklamimin e makinave, për të parë nëse ka rezultat. Në të kaluarën, Tesla nuk e ka shfrytëzuar kurrë reklamimin tradicional për të vënë në pah makinat e saj.

Musk ka thënë se është “ironi” që si shef i Teslas, tani e ka në pronësi edhe platformën sociale, Twitter. Ky rrjet social varet shumë nga reklamat, dhe së shpejti do të udhëhiqet nga veteranja në fushën e reklamimit, Linda Yaccarino.

“Më duket se duhet të them që reklamimi është fantastik, dhe që secili duhet ta bëjë. Do të provojmë pak reklamim, dhe do ta shohim si po ec”, ka thënë Musk, në një takim me aksionarët e Teslas në Teksas.

Ky veprim shpërfaq përpjekjet e tij për të rritur besimin e investitorëve në kompaninë për prodhim të makinave, në kohën kur rritja e konkurrencës dhe ngadalësimi ekonomik, kanë ndikuar në ulje të çmimeve në Tesla.

Prej kur Musk e ka blerë Twitterin, në muajin tetor, reklamuesit i kanë ikur kësaj platforme, të shqetësuar se reklamat e tyre mund të shfaqen në përmbajtje jo të duhur, meqë kompania e ka humbur 80 për qind të stafit.