Zyrtari grek vjen sot në Shqipëri/ Djali i Fredi Belerit: Rama e kishte personale
Me udhëzimin e ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme greke, ambasadori Theoharis Lalakos viziton sot Shqipërinë.
Bashkë me ambasadoren greke më Shqipëri planifikojnë takim me Fredi Belerin dhe Pandeli Kokaveshin, informim për kushtet e burgimit dhe gjendjen shëndetësore si dhe do të vendosin hapat e mëtejshme për trajtimin e ngjarjes.
Kujtojmë se arrestimi i Fredi Belerit, përfaqësues i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për Bashkinë e Himarës, që tashmë rezulton fitues, solli reagime të ashpra në politikën shqiptare dhe atë greke. Kjo e fundit paralajmëroi nota proteste për Shqipërinë, ndërsa bëri thirrje për lirimin e Belerit.
Ndërkohë djali i Fredi Belerit ka folur për mediat greke. Ai ka thënë se është takuar dy herë me babanë e tij pas arrestimit duke treguar se është gëzuar për fitoren duke e konsideruar si shpërblim për punën e shumë viteve.
“Babai i im është i fortë nga ana psikologjike. Kam kontaktuar dy herë me të, njëherë të enjten pas arrestimit dhe dje e pashë për herë parë për pesë minuta. U gëzua për fitoren sepse është një punë shumëvjeçare”.
Nisur nga deklaratat e Edi Ramës dhe akuzat që janë bërë në drejtim të babait të tij, ai është shprehur se në këtë pikë kanë nevojë për ndihmën e Greqisë dhe Europës. Ai thotë se avokatët kanë deklaruar se në shkresat e prokurorisë nuk ka prova për akuzat e ngritura ndaj babait të tij.
“Në 10 ditët e fundit vetë Rama e kishte marrë personalisht çështjen e Himarës. Kudo ku ishte në çdo fjalim i referohej Himarës me përcaktimet nga më të rënda dhe përpiqej të polarizonte klimën me nota negative për Himarën dhe emigrantët grekë, përfshirë këtu edhe babain tim. Ai thoshte: Nuk do ia lejoj vetes të mos fitoj Himarë”, është shprehur djali i Belerit.
“Ajo që ndodhi në Himarë do të mbetet në histori. Një grusht njerëzish arrijnë të fitojnë kundër shtetit. Pashë që mund të kishte qenë një fitore shumë më e madhe nëse nuk do kishte ndodhur ajo që ndodhi në 10 ditët e fundit. Nëse do kishte zgjedhje të lira, fitorja do të ishte akoma më e madhe”, ka përfunduar deklaratën e tij djali i Fredi Belerit.