U ndërpre pas 9 minutash, Ajax fiton dhe rikthehet në vendin e tretë

Ajax Amsterdam fiton në transfertën e Groningen me rezultatin 3-2 dhe rimerr vendin e 3-të në Eredivise. Sfida e javës së 32-të ishte projektuar për t’u zhvilluar në ditën e dielë në orën 14:30, por në atë ditë u luajtën gjithsej vetëm 9 minuta, për shkak se ultrasit e Groningen hodhën mjetet piroteknike në fushën e lojës, duke shprehur revoltën për rënien nga kategoria.

“Harkëtarëve” iu duhej domosdoshmërisht fitorja në stadiumin ”Euroborg” dhe skuadra e Heitingës e arriti objektivin, por me shumë vuajtje. Sfida nisi menjëherë në minutën e 9′, aty ku u la të dielën dhe Ajax e gjeti rrugën e rrjetës në të 18′, falë ekzekutimit të saktë të Tadic nga pika e bardhë e penalltisë.

Ajax shpërdoroi një mori rastesh të mira për të thelluar diferencat dhe u ndëshkuan në minutën e 38′, kur Kruger goditi bukur në hyrje të zonjës dhe mposhti portierin Rulli.

Kryeqytetasit e nisën me një tjetër impuls pjesën e dytë dhe shpejt morën situatën nën kontroll. Brian Brobbey shfrytëzoi asistin e Muhamed Kudus në të 68′ dhe fare pranë portës u tregua maksimalisht efikas. Në të 81′, Jurrien Timber shënoi dhe të tretin për Ajax teksa finalizoi bukur me kokë pas asistimit të Tadic.

Duarte ngushtoi diferencat në 2-3 në minutën e 87′, pas një goditje brilante nga jashtë zonës, por goli i mesfushorit vlejti sa për statistikë pasi Ajax ruajti pa probleme epërsinë deri në fund.

Tri pikët e marra në ”Euroborg” e ngjisin Ajax edhe njëherë tjetër në vendin e 3-të, pozicion që përkon me kualifikimin në Europa League, ndërkohë që Groningeni tashmë i rrëzuar në një ligë më poshtë duhet ta largojë sa më shpejt nga memoria këtë sezon të errët dhe të përpiqet që të rikthehen menjëherë në Eredivise.