Osmani dhe Kurti zotohen se Kosova do t'i zbatojë marrëveshjet
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti janë deklaruar lidhur me procesin e dialogut Kosovë-Serbi e takimin e së hënës mes dy kryenegociatorëve, Besnik Bislimit dhe Petar Perkoviq.
E para e shtetit tha se të gjitha marrëveshjet e arritura mes dy shteteve duhet të zbatohen. Ajo u shpreh se Kosova do të zbatojë te gjitha pikat për të cilat është pajtuar por jo edhe ato te cilat nuk përfshihen në marrëveshjen bazë. Sipas presidentes, interpretimet e reja të BE-së kërkojnë nga Kosova te dal nga ajo që është shkruar në letër, raporton Syri.net Kosova
Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti deklaroi se ende nuk ka marrë asnjë raport në lidhje me shkeljet e marrëveshjes nga ana e Serbisë.
Ai tha se Kosova është e interesuar për zbatim të plotë të marrëveshjes bazë pa vonesë. “Pala tjetër nga pesë pikat e preambulës dhe 10-te nenet e marrëveshje dëshiron që ne të përqendrohemi vetëm tek neni 7. Neni 7 është pjesë e marrëveshjes, por ai nuk është marrëveshja “, shtoi ai.
Ndryshe, dje takimi ndërmjet Bislimit e Petkoviq, në Bruksel, përfundoi pa rezultat.
Zëvendëskryeministri dhe njëherësh, kryenegociator për dialogun Kosovë-Serbi, Besnik Bislimi, tha se ka pasur disa tema në agjendë e që kryesisht kanë pasur të bëjnë me dokumente gjatë vizitës që Mirosllav Lajçak ka zhvilluar të enjten e të premten.