Berisha: Ky është një moment agonie për vlerat demokratike në vend

Kryetari demokrat, Sali Berisha, deklaroi të hënën gjatë një konference për shtyp se ky është një moment agonie për vlerat demokratike në vend.

DEKLARATA E PLOTË

Makineria elektorale e narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë. Industria e tmerrshme e blerjes së votës. Vota e krimit dhe e oligarkisë, dhunuan si kurrë në historinë e këtij vendi votën e shqiptarëve.

Janë të panumërta aktet, veprimet të cilat dëshmojnë se gjatë këtyre muajve, narkoshteti zbatoi programin e asgjësimit të lirisë së votës të blerjes së saj dhe terrorizimit të zgjedhësve shqiptarë.

Kjo është një ditë e vështirë, një ditë e rëndë për liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë. Është një moment agonie për vlerat demokratike në vend. Unë jam këtu për të dënuar me forcën më të madhe për të hedhur poshtë këtë farsë elektorale, e karakterizuar nga alfa, tek omega krimin shtetëror elektoral, dhe krimi ordiner.

Jam këtu gjithashtu për t’i bërë thirrje të gjithë përfaqësuesve të opozitës në komisionet e numërimit, të vazhdojnë me përkushtim detyrën e tyre, pasi është në parimin dhe qëndrimin tonë të bëjmë gjithçka për të mbrojtur votën e qytetarëve shqiptarë.

Së fundmi, dënoj me forcë dhunën e përdorur në Kurbin ndaj një komisionari për faktin e vetëm se duan me çdo kusht të diktojnë, të ndryshojnë rezultatin në këtë bashki siç kanë bërë në shumicën e bashkive të vendit.

Shpreh solidaritetin tim me komisionerin, Ismail Ismaili dhe të gjithë komisionerët e tjerë që në kushte terrori, po përmbushin detyrimet e tyre.