Mentor Kikia: PS eleminoi llogaridhënien dhe shpiku tallavanë, populli kërceu dhe partia fitoi

Analisti Mentor Kikia ka renditur disa prej arsyeve që sipas tij bënë që PS të arrinte fitoren në zgjedhjet lokale të 14 majit.

Ai u shpreh se PS eliminoi llogaridhënien në popull dhe shpiku tallavanë si mënyrë komunikimi.

Sipas Kikisë, kjo bëri që populli të kërcente e të kënaqej dhe partia të fitonte zgjedhjet.

“PS është një parti e ndërtuar me një sistem kapilar, punon 4 vite për një ditë. PS ka qenë në punë për zgjedhjet. Ç’po bënte PD në atë kohë? Flasim te pjesa tjetër. Pra punë në vijimësi, përdorimi i infrastrukturës shtetërore. Është bërë metodë që partia në opozitë nuk ndeshet me partinë në pushtet, por me vetë shtetin. Në Shkodrër e cekëm edhe gjatë diskutimit, njerëzit ishin në terren dhe po punonin. Është tjetër gjë nëse socialistët e meritojnë apo jo fitoren, por kanë punuar.

Do të doja të identifikoja edhe një element tjetër që mendoj se i ka dhënë mjete PS-së. Në terminologjinë e përgjithshme quhet propagandë. Socialistët në këtë drejtim janë përpara shumëkujt tjetër në Shqipëri. Qenia e gjatë në pushtet bën që të futesh në zgjedhje me një barrë kusuresh. Një maxhoranca me një barrë akuzash me inceneratorë e dreqi me të birin, duhet të gjente vend ku të futej. Por çfarë bëri? I futi një tallava dhe… U elemunua llogaridhënia dhe u shpik tallavaja si mënyrë komunikimi. Edhe populli kërceu edhe partia fitoi”, u shpreh Kikia.