Zgjedhjet me probleme/ Celibashi: Votimi u pezullua në 40 QV, pjesëmarrja nga raportimet 34.37%
Kryetari i KQZ, Ilirjan Celibashi deklaroi se nga raportimi i deritanishëm nga qendrat e votimit, pjesëmarrja në zgjedhjet vendore të 14 Majit është 34.37%.
"Pjesëmarrja është 34.37%, për ato qendra votimi që është raportuar në mënyrë elektronike direkt nga QV. 16 597 votues për herë të parë në këto zgjedhje, mbi 18 vjeç", tha ai.
Celibashi iu referua me detaje edhe problematikave që janë hasur gjatë procesit të votimit në të gjithë territorin. Nuk kanë munguar incidentet, presionet, kërcënimet dhe shantazhet ndaj qytetarëve nga përfaqësues të partisë në pushtet dhe njerëz të inkriminuar.
Celibashi tha se prej problemeve të konstatuara, votimi është pezulluar në 40 qendra votimi.
“Kemi konstatuar se në 11% të qendrave të votimit janë hasur vështirësi në gjetjen e qendrës së votimit. Kemi konstatuar që në 62 qendra votimi nga 5213 ka pasur shkelje për materiale propagandistike në një distancë prej 150 metra. Për procesin e votimit, kemi pasur pezullim në 40 qendra votimi. Është numër shumë i vogël se sa është propaganduar dhe është paraqitur si shqetësim. Për 30 qendra votimi është raportuar votim në grup, në 4 raste kemi marrë raportim për votim jashtë dhomës së fshehtësisë. Në 10% është përdorur lista në mënyrë manuale. Në 2 qendrave të votimit të bashkive që është votuar përmes sistemit elektronik është përdorur vetëm 1 nga 2 makinat dhe në të gjithë të tjerat procesi i votimit elektronik ka vijuar shumë mirë”, tha Celibashi.