Berisha: Falënderoj qytetarët që kanë votuar, u bëj thirrje që të dalin të votojnë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin e të votojnë.  Ai falënderoi të gjithë qytetarët që kanë ardhur nga jashtë Shqipërisë për të votuar për ndryshimin.

Gjatë deklaratës për mediat, kryedemokrati Berisha tha se, çdo votë e qytetarëve do të mbrohet nga opozita.

Deklarata e plotë e kreut të PD-së, Sali Berisha:

Jam sot para jush për të falënderuar përzemërsisht të gjithë ata qytetarë shqiptarë të cilët kanë ardhur nga dhjetëra e dhjetëra vende, të kontinenteve të ndryshme për të firmosur sot me votën e tyre ndryshimin.

Mirënjohja ndaj tyre është e pakufishme.

Së dyti, unë dua të falënderoj përzemërsisht të gjithë ata qytetarë shqiptarë që nga ora 7 e mëngjesit e deri në këtë kohë, janë paraqitur dhe kanë hedhur votën e tyre në kutitë e votimit. Kanë kryer pra një detyrë kushtetuese jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin, veten dhe familjen e tyre.

Së treti, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve që ende nuk kanë votuar të votojnë, të paraqiten në orët në vazhdim pranë qendrave të tyre dhe të votojnë si një shërbim i jashtëzakonshëm që i bëjnë vendit, vetes dhe familjes së tyre.

Së fundi, garantoj qytetarët se opozita po mbikëqyr me sukses të plotë këtë proces. Ajo sot është më e fuqishme se kurrë. Vota e tyre ka mbrojtjen absolute të opozitës shqiptare. Çdo lloj përpjekje që po bën narkoadministrata, narkoshteti është e destinuar të dështojë, të dështojë dhe vetëm të dështojë.

Qytetarëve u them gjithashtu, policia ka marrë pushim sot, por pavarësisht nga kjo, ju votoni si njerëz të lirë. Opozita do të mbrojë dhe po mbikëqyr çdo votë tuajën.

Faleminderit!