Rama e nxjerr kokën për ambicien që ka: Më duhen 20 vite si kryeministër

Edi Rama e ka nxjerrë hapur kokën e ambicjes dhe planit që ka, për të qëndruar në pushtet shumë gjatë. Ai sot ka kërkuar nga shqiptarët, që të jetë plot 20 vite kryeministër i tyre. Dhe për çfarë? Që ta bëjë Shqipërinë si Mali i Zi!

“Duhet besim për të sjellë investitorët e mëdhenj në Shqipëri dhe i duhet shumë kohë një Kryeministri për të qenë bindës”, deklaroi sot Edi Rama duke marrë shembullin e Malit të Zi, ku Gjukanoviç ka mbi 20 vite në pushtet.

Rama morri pjesë në inaugurimin e nisjes së punimeve për kompleksin e parë turistik me 5 yje në Gjirin e Lalzit, ku u tregoi të pranishmëve  një bisedë konfidenciale me Kryeministrin e Malit të Zi.

“Më ka mbetur në mendje një bisede me Kryeministrin e Malit të zi. E kam pyetur homologun tim në shtetin fqinj për strategjinë e ndërtimeve cilësore që e kthyen Malin e Zi në një destinacion atraktiv në Mesdhe.

Më tha mos harro që jam Kryeministër prej 20 e kusur vitesh. Më janë dashur 10 vite për strukturën e parë. Pasi ka ardhur e para është krijuar bindja. Pra është çështje besimi për një investitor sepse ka një mijë e një arsye për të paragjykuar vendin tonë dhe duhet guxim më vete. Fakti është se sot ne jemi në rrugë për çelur një sezon të ri…”, deklaroi Rama.

SYRI.net