SYRI TV/ Arrestimi i Fredi Belerit tensionon situatën politike, Meta: Rrëmbim mafioz pas sulmeve të Ramës
Kryeministri Edi Rama është munduar të distancohet nga arrestimi i kandidatit të opozitës për Himarën, Fredi Beleri, pas sulmeve dhe kërcënimeve ndaj tij. Rama deklaroi se beteja e tij me Belerin nuk ka lidhje me hetimet e prokurorisë, por kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta bëri përgjegjës kryeministrin për arrestimin e Bejlerit, që e cilësoi “rrëmbim mafioz”.
Nga SYRI TV
Arrestimi i kandidatit të opozitës për bashkinë e Himarës, Fredi Beleri, ka trazuar ujërat e politikës, dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit.
Kryeministri Edi Rama pasi sulmoi dhe kërcënoi publikisht Fredi Belerin, pas arrestimit të tij është munduar të zbusë tonet dhe të distancohet nga ngjarja. Përmes një statusi në Tëitter, Rama u shpreh se sulmet e tij nuk kanë lidhje me hetimet e prokurorisë që çuan në shoqërimin e Belerit.
Rama: “Beteja jonë me atë kandidat nuk ka asnjë lidhje me hetimet apo përfundimet e prokurorisë, prandaj i bëj thirrje të gjithëve të mos nxitohen me konkluzione politike po të presin me durim fjalën dhe provat e drejtësisë. Ndalimi i kandidatit të opozitës për Himarën, F. Beleri, me urdhër të prokurorisë përbën një sprovë të madhe për drejtësinë në vigjilje të zgjedhjeve, që do të thotë se shkelja e ligjit nga ana e tij duhet të jetë e provuar dhe ndalimi i tij ligjërisht i motivuar. “
Nga ana tjetër, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, e cilësoi arrestimin e kandidatit të koaliconit “Bashkë fitojmë” si një rrëmbim mafioz të frymëzuar nga sulmet e kryeministrit Edi Rama. Në reagimin e tij, Meta, bëri thirrje për pjesëmarrje masive në votime si kundërpërgjigje për kryeministrin Rama
Ilir Meta: “Ndërsa SPAK nuk vepron ndaj dhjetëra kryetarëve të bashkive që shkelin ligjin dhe vërtetohen si fajtorë, pas sulmeve të paramenduara dhe të inskenuara të Kryeministrit delinkuent, rrëmbehet pas mesnate në mënyrë mafioze kandidati për kryetar i bashkisë në Himarë. Të gjithë qytetarët dhe strukturat opozitare në Himarë të intensifikojnë kontaktet me zgjedhësit për të votuar masivisht dhe për t’i dhënë goditjen përfundimtare Kryeministrit, grabitësit dhe shkatërruesit më të madh për qëllime mafioze të pronave në Himarë dhe gjithë bregdetit të Jugut nga Vlora deri në Ksamil.”
Fredi Beleri u arrestua një natë më parë nga policia e Vlorës, ndërsa ishte kthyer në shënjeshtër të sulmeve të kryeministrit Edi Rama, përgjatë ditëve të fundit të fushatës elektorale.