SYRI TV/ Bylykbashi denoncon votimet fiktive në Durrës: Përfaqësuesit e PS dëmtojnë pajisjet identifikuese
Deputeti i Partisë Demokratike,Oerd Bylykbashi ka denoncuar me prova se si Partia Socialiste tenton manipulimin e procesit zgjedhor në qytetin e Durrësit. Bylykbashi solli listat emërore të personave që kanë votuar pa identifikim në zgjedhjet e kaluara dhe e njëjta skemë është përgatitur edhe për 14 majin. Sipas Bylykbashit, patronazhistë të PS votojnë në emër të emigrantëve që nuk janë në Shqipëri.
Nga SYRI TV
Partia Demokratike ka denoncuar sot tentativat e Partisë Socialiste për manipulimin e procesit zgjedhor në qytetin e Durrësit. Deputeti Oerd Bylykbashi ka denoncuar sot me prova konkrete dhe me emra se si eksponentët e Partisë Socialiste kanë nxjerrë jashtë funksionit mjetet e identifikimit elektronik për t’i hapur rrugë votimit fiktiv, duke përdorur emrat e emigrantëve.
“Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021, në qendrat e votimit të bashkisë Durrës votuan rreth 110.000 votues. Rreth 5.500 votues kanë votuar pa u identifikuar me gjurmën e gishtit, me pretendimin se gjurmët e gishtit nuk mund të lexoheshin.
Në zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie në Durrës më 6 mars 2022, kur morën pjesë rreth 67.000 zgjedhës ose 43.000 zgjedhës më pak se në vitin 2021, numri i personave që kanë votuar pa u identifikuar me gjurmë gishti në sistemin elektronik të identifikimit është 9.600 votues.
Rezulton se një numër i madh i emigrantëve të ketë votuar më 6 mars 2022 në Durrës, edhe pse nuk përbën sezon pushimesh. Verifikimet në terren e një numri rastesh ka prodhuar indicie se persona që rezultojnë votues nuk kanë qenë në Shqipëri më datë 6 mars 2022 kur opozita kishte vetëm një komisioner në qendrat e votimit.”
Që kjo skemë të mos përsëritet në zgjedhjet e 14 majit, Partia Demokratika ka bërë kallëzim në SPAK dhe kërkon hetime për përgjegjësit ndërsa i ka bërë thirrje KQZ-së që të marrë masa paraprake.
“Po bëhen përpjekje të sabotohet funksionimi i sistemit të identifikimit elektronik dhe biometrik i identifikimit të zgjedhësve nëpërmjet presionit, urdhrash politikë të jashtëligjshme apo korruptimi mbi operatorët teknikë të sistemit dhe ata të mos paraqiten në detyrë më 14 maj.
Qëllimi është që të shmanget ky sistem që zbulon votimin e shumëfishtë apo në vend të personave që nuk janë në Shqipëri, duke përdorur letërnjoftimet e tyre. Në vend të tij të përdoret mënyra e vjetër me listat e printuara me nënshkrime që është hequr që në vitin 2021.”
Më tej Bylykbashi paralajmëron se tentativa e komisionerëve të PS-së për të mos u paraqitur në pozicionin e verifikimit elektronik apo mosfunksionimi i këtyre pajisjeve përbën shkelje ligjore.”