INTERVISTA/ Zini Tollozhina: Të gjitha fshatrat në bregun e liqenit të Pogradecit t’i kalojmë në zona turistike

Tollozhina: "Ne mendojmë se Pogradeci si breg liqenor, duhet të jetë i gjithi në kuadrin e turizmit "

Intervistë me z. Zini Tollozhinë, kandidatin e koalicionit “Bashkë fitojmë” për bashkinë e Pogradecit, në emisionin”Kafe Shqeto” në SYRI TV nga gazetarët Flavio Qarri dhe Ola Bregu.

Kafe Shqeto: Z. Tollozhina, si e gjen Pogradecin, fundi i kësaj fushate elektorale?

Zini Tollozhina: Sot Pogradeci po gdhihet me diell, pas disa ditë shirash, absolutisht me ndjenjën e fitores së Partisë Demokratike.

Kafe Shqeto: Ju në deklaratat tuaja jeni shprehur se bashkia e Pogradecit ka një borxh prej tre miliard lekësh. Mund të na jepni një koment për mënyrën se si do ta nxirrni bashkinë e Pogradecit nga kjo gjendje?

Zini Tollozhina: Financat e Pogradecit janë me një diferencë prej tre miliardë lekësh edhe pse stafi i bashkisë gjatë këtij mandati i ka rritur taksat në mënyrë të tejskajshme sidomos për biznesin e madh, për biznesin e vogël, po edhe për qytetarët duke filluar nga taksat e pastrimit, të gjelbërimit, të ndriçimit, të ujit të pijshëm dhe deri te taksat e varrezave.

Gjatë mandatit që ka pasur qeverisja demokratike, taksat kanë qenë të ulura deri në minimumin e mundshëm dhe investimet janë kryer shumë bazike dhe shumë të mira sidomos në bllokun e Varrezave të Dëshmorëve, në bllokun e përroit të Çaprazit,  në bllokun e Goricës dhe po ashtu pranë stadiumit. Do të shtoja edhe shumë investime të tjera në infrastrukturë apo në shkolla e ambiente të tjera të jetës qytetare në Pogradec. Ndërkohë që flasim, kemi taksa shumë të ekzagjeruara dhe nuk është bërë absolutisht asnjë lloj investimi. Ndërmarrja e Gjelbërimit në Pogradec ka një mori punëtorësh dhe një fond të përcaktuar për vetëm një shesh trëndafilash para bashkisë, që edhe ky është bërë me prokurim. Normalisht është bërë edhe një shatërvan pranë liqenit, jo se nuk është i mirë, i duhur, po prapëseprapë nuk e justifikon investimin, pasi është një fond goxha i ekzagjeruar, ndërkohë që pjesa tjetër lë për të dëshiruar dhe është shpenzuar vetëm për fond pagash apo tendera fiktivë që i ngelen kohës për t’i parë.

Kafe Shqeto: si do të ndryshojë Pogradeci nën drejtimin tuaj? Cilat janë pikat e forta ku ju do të ndërhyni dhe i keni strategji pas 14 majit?

Zini Tollozhina: Pika kryesore do të jetë administrimi i të gjithë taksapaguesve të qytetit të Pogradecit, duke u lidhur edhe me kontratat, qoftë me marrëdhëniet apo lobingje kombëtare apo ndërkombëtare në bazë të donatorëve dhe investitorëve të huaj. Ne mendojmë se Pogradeci si breg liqenor, duhet të jetë i gjithi në kuadrin e turizmit pasi momentalisht ne kemi pika të veçanta, të themi në fshatin Tushemisht që janë bujtina që numërohen me gishtat e dorës apo dhe në Tushemisht, që janë pika atraktive të Pogradecit. Ne mendojmë që të gjithë bregun e liqenit, të gjitha fshatrat t’i kalojmë në zona turistike, në fshatra turistike duke stimuluar për bujtina apo për hoteleri të ndryshme që do t’i shërbejnë komunitetit dhe të kemi një atraksion turistik për Pogradecin ashtu siç i takon.

Kafe Shqeto: Le t’i kthehemi pak deklaratave të Kryeministrit. Si do t’ia bëni që t’i neutralizoni gratë, që të mos i mbyllin burrat nëpër shtëpi dhe të mos merren me komshinjtë?!

Zini Tollozhina: Ai e kishte fjalën për gratë socialiste, se gratë demokrate nuk bëhet fjalë (qesh me shaka). Ai, do të thosha, që në 2013-ën e nisi me shëndetësi falas dhe me premtime të tjera të bujshme, por asnjëra nuk ishte e realizueshme. E filloi me “timonin, ma jepni mua”. E mori “timonin” dhe e pamë se çfarë bëri; e shpuri në greminë me “timonin” e vet. I dhamë “tepsinë” dhe tepsinë e mori të gjithën vetë. Tani, e filloi me tallava, pak më vonë me gratë dhe më vonë thirri shpirtrat e të vdekurve të parëve tanë.

Unë mendoj se është një rrugëtim që vetëm ka mashtruar qytetarët dhe qytetarët sot janë të vetëdijshëm për udhëtimin e tij, pasi Shqipëria sot është në greminë dhe të gjithë qytetarët, të paktën të Pogradecit, e dinë që duhet ndryshim. Edhe pse ai është shprehur se nuk do të ketë asnjë lloj fondi nga qeverisja apo mbështetja e qeverisë, do të thosha se edhe në mandatin e parë që ka pasur Partia Demokratike nuk ka pasur ndonjë ndihmë nga qeverisja. Të gjitha janë bërë me menaxhim të mirë të taksapaguesve pogradecarë.

Kafe Shqeto: Në këto orë të fundit të fushatës, po ndihen tensione në qytetin Pogradecit?

Zini Tollozhina: Unë kam të dhëna për “hijet” e natës, por duhet t’i shohim hap pas hapi. Gjithsesi, në momentet që flasim, situata është e qetë./ar.sh/SYRI.NET