Beleri u arrestua pas kërcënimeve të Ramës/ Kryeministri ‘orienton’ drejtësinë, Greqia reagon me zemërim
Vetëm pak orë pasi Edi Rama e kërcënoi sërish kandidatin e opozitës në Himarë, Fredi Beleri, ky i fundit përfundoi në prangat e policisë pa asnjë urdhër-arresti ndaj tij.
Edhe pse mediat e Ramës tentuan ta paraqesin si një operacion të SPAK, në fakt ky ishte një veprim i autoriteteve vendore.
Greqia fqinje reagoi me zemërim.
Ambasadorja greke në Tiranë, Kostandina Kamici, ka zhvilluar këtë të premte një takim në Ministrinë e Jashtme, ku ka shprehur shqetësimin në lidhje me arrestimin e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Himarën, Fredi Beleri.
Për ngjarjen reagoi edhe zëvendësministri i Jashtëm i Greqisë, Miltiadhis Varviciotis.
“Jemi pranë minoritarëve grekë të Shqipërisë”, tha ai për mediat greke.
“Arrestimi i kandidatit për kryetar të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, është i papranueshëm. Kemi hedhur menjëherë të gjitha hapat e duhura rrugën diplomatike dhe po monitorojmë çështjen. Jemi me minoritetin grek të Shqipërisë”, tha Varviciotis.
Kurse kryeministri Edi Rama që ‘urdhëroi’ ndalimin, bëri një koment të shkurtër në mediat sociale, duke ‘orientuar’ drejtësinë se si të veprojë.
“Ndalimi i kandidatit të opozitës për Himarën F.Beleri me urdhër të prokurorisë përbën një sprovë të madhe për drejtësinë në vigjilje të zgjedhjeve, që do të thotë se shkelja e ligjit nga ana e tij duhet të jetë e provuar dhe ndalimi i tij ligjërisht i motivuar! Beteja jonë me atë kandidat nuk ka asnjë lidhje me hetimet apo përfundimet e prokurorisë, prandaj duke respektuar pavarësinë e plotë të organeve të drejtësisë, i bëj thirrje të gjithëve të mos nxitohen me konkluzione politike po të presin me durim fjalën dhe provat drejtësisë”, deklaron Rama.