Fredi Beleri u ndalua nga Prokuroria e Vlorës pa një urdhër-arresti ndaj tij

Shoqërimi i kandidatit të opozitës, Fredi Beleri, është bërë me urdhër të prokurorit të Vlorës, Anton Pali.

Jozyrtarisht mësohet se prokuroria e këtij qyteti, kishte indicie për sa i përket veprimeve të Belerit dhe anëtarëve të stafit të tij.

Mësohet se kanë qenë autoritetet e Vlorës që kanë bërë vëzhgime dhe përgjime sa i takon dyshimeve për shitblerje vote.

Mbrëmjen e kaluar është bërë ndërhyrje pikërisht nga Prokuroria dhe Policia e Vlorës, duke qenë se veprimet hetimore ishin ndjekur prej tyre, dhe jo nga SPAK.

Ndërkohë, burime jozyrtare bëjnë të ditur se ndaj Belerit nuk ka urdhër-arresti, por shoqërim në kushtet e flagrancës me dyshimet se kryente veprime të paligjshme, për të cilat është regjistruar edhe procedimi penal.

Pritet që pas përfundimit të veprimeve hetimore, përfshirë marrjen e deklarimeve përkatëse, Prokuroria e Vlorës të vendosë nëse do të bëjë lirimin e tij apo t'i komunikojë masë arresti dhe dosjen t'ia dërgojë gjykatës.

Duke qenë se bëhet fjalë për procedim në ngarkim të zyrtarëve të lartë, nëse organi i akuzës do vendosë ta dërgojë çështjen në gjykatë, kjo e fundit të shpallë moskompetencën dhe t’ia kalojë çështjen SPAK.